Vendosni fjalën kyçe....

Kina nis hetimet ndaj gjeneralit më të lartë


Ushtria kineze ka akuzuar gjeneralin e saj më të lartë se ka minuar autoritetit komandues të Xi Jinping. Kjo sugjeron se pas hetimit të njoftuar të shtunën ndaj Zhang Youxia, fshihet synimi për të siguruar pushtetin e udhëheqësit kinez, dhe jo thjesht akuzat për korrupsion, shkruan Financial Times.

Zhang, nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak (CMC), dhe Liu Zhenli, një tjetër anëtar i CMC-së dhe Shefi i Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA), kanë “shkelur dhe dëmtuar rëndë sistemin e përgjegjësisë së kryetarit”, thuhej në editorialin e botuar të dielën nga gazeta zyrtare e ushtrisë, “PLA Daily”.

Sipas kushtetutës kineze, udhëheqësi i shtetit dhe i Partisë Komuniste Kineze (CCP) kryeson CMC-në dhe gëzon pushtet suprem vendimmarrës mbi ushtrinë. Ky “sistem i përgjegjësisë së kryetarit” është krijuar posaçërisht për të garantuar kontrollin absolut të partisë mbi forcat e armatosura.

Gazeta zyrtare e ushtrisë shkroi se dy gjeneratët kishin “nxitur seriozisht probleme politike dhe korrupsioni që cenojnë udhëheqjen absolute të partisë mbi ushtrinë dhe rrezikojnë themelet e sundimit të saj”.

Këto komente nxjerrin në pah rëndësinë jetike që ka ushtria për Xi-në në prag të kërkesës së tij të pritshme për një mandat të katërt, i cili pritet të konfirmohet në kongresin e ardhshëm të partisë në vitin 2027. Që nga marrja e pushtetit përmes luftës civile, Partia Komuniste e konsideron kontrollin mbi forcat e armatosura si të panegociueshëm.

“Ushtria është e vetmja organizatë në Kinë që ka një histori sfidimi ndaj udhëheqësve të partisë,” tha Dennis Wilder, ekspert i ushtrisë kineze dhe ish-shef i analizës për Kinën në CIA. Ai përmendi raste historike si kritika e ministrit të Mbrojtjes Peng Dehuai ndaj Mao Ce Dunit në vitin 1959 dhe përpjakjen e supozuar për grusht shteti nga gjenerali Lin Biao në 1971.

Wilder shpjegoi se pasi Zhang fitoi betejën e brendshme kundër He Weidong (nënkryetari tjetër i CMC-së që u spastrua vitin e kaluar), Xi ndoshta nisi të kishte frikë nga pushteti i tepërt i Zhangut.

“Duke supozuar se Xi dëshiron një mandat të katërt, ai do duhej të kishte frikë se Zhang mund të udhëhiqte një lëvizje brenda Partisë për ta rrëzuar atë.”

Sipas deklaratës zyrtare, Zhang dhe Liu po hetohen për “shkelje të rënda të disiplinës dhe të ligjit” – një shprehje standarde që përdoret si për korrupsionin, ashtu edhe për spastrimet politike. Ky njoftim ka shokuar shumë vëzhgues, pasi Zhang konsiderohej një bashkëpunëtor shumë i ngushtë i Xi-së dhe njeriu kyç për modernizimin e ushtrisë kineze.

Hetimi i tyre e ka “gogolizuar” Komisionin Qendror Ushtarak, duke lënë vetëm Zhang Shengmin (komisarin përgjegjës për korrupsionin) si të vetmin anëtar aktiv përveç vetë Xi Jinping.

Ekspertët vlerësojnë se kjo lëvizje tregon forcën e Xi-së dhe jo dobësinë e tij.

“Nuk është një shenjë dobësie, por force,” tha Lyle Morris nga Instituti i Politikave të Shoqërisë Aziatike. Sipas tij, Xi u ndje mjaftueshëm i sigurt në pushtetin e tij sa për të ndërmarrë këtë hap radikal, duke treguar se askush, as “princërit” e dikurshëm të paprekshëm, nuk janë të sigurt nëse nuk ndjekin verbërisht vijën e tij të komandës.