Vendosni fjalën kyçe....

Arrest shtëpiak për 3 punonjës policie në Orikum, akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në shtëpi tre punonjës policie të Stacionit të Policisë Orikum, pas një hetimi disa mujor të drejtuar nga SPAK, për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Shpërdorim detyre”.

Të përfshirë në këtë çështje janë inspektori i krimeve, shefi i stacionit të policisë dhe një specialist i policimit në zonë. Sipas hetimeve, në shtator të vitit të kaluar, ata kanë kërkuar dhe marrë nga një qytetar shumën prej 270 mijë lekësh, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Njoftimi i policisë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria e Hetimit dhe Drejtoria Rajonale Vlorë – Gjirokastër) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Pr. Penale, ndaj punonjësve të policisë;

D. L., me detyrë Inspektor krimesh pranë Stacionit të Policisë Orikum;

A. J., me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Orikum;

A. F., me detyrë Specialist i Policimit në Zonë pranë Stacionit të Policisë Orikum;

të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Drejtoria e Hetimit është vënë në dijeni se këta punonjës policie, në shtator të vitit të kaluar, në kundërshtim me ligjin dhe duke keqpërdorur atributet që iu jep funksioni, kanë kërkuar dhe marrë nga një shtetas shumën prej 270 000 lekësh, në këmbim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Pas hetimit disa mujor me metoda speciale në drejtimin e SPAK, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i implikimit të punonjësve të policisë në veprime korruptive dhe shpërdorim të detyrës.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.

Për ankesa me Whatsapp 0694151511
Ose shkarkoni në Play Store dhe App Store aplikacionin “Agjencia Digjitale”.