Vendosni fjalën kyçe....

Kongresi amerikan miraton rezolutën për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës


Zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës u dëgjua fuqishëm në Capitol Hill, duke u shndërruar për herë të parë në një qëndrim zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lajmi u bë i ditur nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe aktivisti për të drejtat e shqiptarëve në SHBA, Faton Bislimi.

Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit amerikan miratoi rezolutën H.R. 6411, të iniciuar nga kongresisti Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën. Rezoluta trajton shkeljet e të drejtave etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kërkon përgjegjësi ligjore dhe politike nga autoritetet në Beograd për diskriminimin sistematik ndaj këtij komuniteti.

Dokumenti u mbështet në mënyrë bipartizane nga kryetari i Komitetit, Brian Mast, dhe nënkryetari Gregory Meeks, duke marrë tashmë miratimin formal të Komitetit. Sipas burimeve, rezoluta pritet të hidhet për votim dhe të aprovohet së shpejti nga vetë Kongresi i SHBA-së.

Duke komentuar zhvillimin, Bislimi e cilësoi miratimin e rezolutës si “një ditë të bardhë për shqiptarët” dhe “një sinjal të qartë për çdo regjim që beson se padrejtësia mund të vazhdojë pafundësisht”.

Ai theksoi se ky hap përfaqëson një moment domethënës në realizimin e vizionit të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili promovoi aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe besimin në forcën morale të kauzës shqiptare.

“Shumë flasin për rugovizëm, por rugovizmi nuk shpallet – jetohet. Nuk promovohet me fjalë, por dëshmohet me vepra,” u shpreh Bislimi.

Sipas tij, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara mbetet e pazëvendësueshme, ndërsa liria dhe pavarësia e Kosovës duhet të përkthehen edhe në garantimin e të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Reagimi i Bislimit në Facebook

DITË E BARDHË PËR SHQIPTARËT E URAGAN I ZI PËR BEOGRADIN NGA CAPITOL HILL

Sot, nga Capitol Hill në Washington, u dëgjua zëri i Luginës së Preshevës. Jo si thirrje e vetmuar, por si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA u miratua (marked up) rezoluta H.R. 6411, e iniciuar nga Kongresisti Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, mbi të drejtat etnike e kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Me përkrahjen dypartiake të Kryetarit Brian Mast dhe Nënkryetarit Gregory Meeks, kjo rezolutë tashmë ka bekimin e Komitetit dhe pritet shumë shpejt të aprovohet nga vetë Kongresi.

Kjo është histori;  Histori e shkruar me durim, këmbëngulje dhe besim – që nga viti 2001 nën lidershipin e palëkundur të Joe dhe Shirley DioGuardi (Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane), e deri te puna e pandalshme e bashkëkombësve tanë në Texas, nën udhëheqjen e @AlbaniansForAmerica. Një betejë e gjatë, e drejtë, dhe sot fitimtare.

Tash, SHBA do të kërkojë përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në Luginë. Sot është ditë e bardhë për shqiptarët dhe një sinjal i qartë për çdo regjim që mendon se padrejtësia mund të zgjasë pafund.

Në përvjetorin e shkuarjes në amshim të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nuk ka nderim më të madh se sa ta shndërrojmë vizionin e tij në veprim konkret. Rugova nuk ishte fjalë. Ishte rrugë. Ishte orientim. Ishte besim në aleancën me Amerikën dhe në forcën morale të kauzës sonë.

Shumë flasin për rugovizëm. Por rugovizmi nuk shpallet – jetohet. Nuk promovohet me fjalë – dëshmohet me vepra.

Marrëdhënia jonë me Shtetet e Bashkuara është e pazëvendësueshme. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë ogur i mirë për gjithë kombin shqiptar. Tani, është koha që kjo liri të shtrihet edhe te vëllezërit e motrat tona në Luginën e Preshevës.

Bashkë do ta bëjmë.

Nuk ndalemi. Nuk dorëzohemi.

Zoti e bekoftë Amerikën.

Zoti e bekoftë popullin shqiptar.”