
Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, deklaroi të hënën se ka marrë një mesazh nga presidenti amerikan Donald Trump, në të cilin lideri i SHBA-së thuhej se “nuk ndihej më i detyruar të mendonte vetëm për paqen” pasi nuk ishte vlerësuar me Çmimin Nobel të Paqes.
Mesazhi, i raportuar fillimisht nga PBS, lidhet me përshkallëzimin e tensioneve për çështjen e Groenlandës, territor vetëqeverisës i Mbretërisë së Danimarkës dhe anëtare e NATO-s, përcjell AP.
Sipas raportimit, Trump i shkroi Støre-s: “Duke qenë se vendi juaj vendosi të mos më japë Çmimin Nobel të Paqes për ndalimin e 8 luftërave, nuk ndjej më detyrimin të mendoj vetëm për paqe… Bota nuk është e sigurt përveçse nëse kemi kontroll të plotë dhe total mbi Groenlandën.”
PBS raportoi se mesazhi ishte shpërndarë edhe tek ambasadorë të tjerë europianë në Uashington.
Ndërkohë, administrata amerikane ka rritur presionin ndaj aleatëve evropianë, pasi ditën e shtunë Trump njoftoi një tarifë 10% mbi importet nga tetë vende të NATO-s që kundërshtojnë idenë e një blerjeje amerikane të Groenlandës, përfshirë Norvegjinë.
Vendet e prekura reaguan me një deklaratë të fortë të përbashkët kundër Uashingtonit.
Kryeministri britanik Keir Starmer u përpoq të ulte tensionet duke deklaruar të hënën se ai “nuk beson se do të ketë veprim ushtarak”.
Megjithatë, fakti që Shtëpia e Bardhë nuk ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës e ka acaruar situatën mes SHBA-së dhe aleatëve europianë.
Tensionet vijnë në një moment kur marrëdhëniet SHBA-BE janë të brishta për shkak të mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e përfundimit të luftës gati katërvjeçare në Ukrainë, tarifave tregtare, shpenzimeve të mbrojtjes dhe politikave të migracionit.
Në fundjavë, mijëra qytetarë në Groenlandë dolën në rrugë për të kundërshtuar çdo përpjekje të Uashingtonit për të marrë kontrollin e ishullit.
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi të hënën se vendi nuk do të lëkundet nga presioni ekonomik.
“Ne nuk do të biem nën presion. Qëndrojmë fort në dialog, respekt dhe në të drejtën ndërkombëtare,” shkroi ai.
Komiteti Norvegjez i Nobelit përbëhet nga pesë anëtarë të emëruar nga parlamenti norvegjez dhe funksionon si organ i pavarur.
Vitin e kaluar, çmimi iu dha opozitares venezueliane María Corina Machado, e cila së fundmi i dorëzoi medaljen e saj Trump-it, një veprim i dënuar nga komiteti, i cili theksoi se Nobeli nuk mund të transferohet, ndahet apo revokohet.