Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky zëvendëson kreun e shërbimit të sigurisë së Ukrainës


Presidenti ukrainas Zelensky deklaroi të hënën se planifikon të zëvendësojë kreun e shërbimit të sigurisë së vendit (SBU), Vasyl Maliuk, si pjesë e një riorganizimi më të gjerë që ka përfshirë edhe emërimin e një shefi të ri të stafit presidencial.

Maliuk u emërua shef i SBU-së në shkurt të vitit 2023, pasi kishte shërbyer si ushtrues detyre për muaj me radhë. Gjatë mandatit të tij, shërbimi ka kryer një sërë operacionesh të bujshme, duke përfshirë një sulm guximshëm me dronë mbi dhjetëra bombardues strategjikë rusë të stacionuar mijëra kilometra larg Ukrainës.

SBU deklaroi se ai gjithashtu mbikëqyri një sulm ndaj një nëndetëseje ruse dhe tri sulme mbi urën që lidh Rusinë me gadishullin e pushtuar të Krimesë, një nyjë logjistike vendimtare për Moskën, shkruan Reuters.

Maliuk është lëvduar nga analistët për përmirësimin e efektivitetit të SBU-së, pasi paraardhësi i tij, Ivan Bakanov, u shkarkua nga Zelensky në korrik 2022 me arsyetimin se dështoi në çrrënjosjen e spiunëve rusë.

Zelensky tha në platformën X se i ka kërkuar Maliuk-ut që në vend të kësaj detyre të përqendrohet më shumë në operacionet luftarake, duke shtuar: “Duhet të ketë më shumë operacione asimetrike ukrainase kundër pushtuesit dhe shtetit rus, si dhe rezultate më të prekshme në eliminimin e armikut.”

Ky hap vjen pak ditë pasi Zelensky njoftoi se shefi i inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov, do bëhej shefi i tij i ri i stafit dhe se ai do kërkonte të emëronte ministra të rinj të mbrojtjes dhe energjisë.