![]()
Ndërsa viti 2025 po i afrohet fundit, ngjarje të çuditshme të shënuara si në botën e kafshëve ashtu edhe në jetën e përditshme zbukuruan titujt kryesorë të medias, raporton Anadolu.
Krahas zhvillimeve të shumta politike, ngjarje të pazakonta dhe të çuditshme ndodhën në vende të ndryshme, ndonjëherë duke habitur dhe ndonjëherë duke argëtuar njerëzit.
Anadolu ka përpiluar një listë të ngjarjeve interesante të regjistruara në mbarë botën në vitin 2025 dhe që u paraqitën në titujt kryesorë.
– Në Itali, u ndalua të sëmuresh, ndërsa minjtë e varur nga droga shënjestruan depon për ruajtjen e provave
Disa nga ngjarjet më të çuditshme të vitit ndodhën në janar. Në fshatin italian të Belcastros, me një popullsi prej 1.200 banorësh dhe të vendosur 45 kilometra nga spitali më i afërt, u lëshua një dekret që u udhëzonte fshatarëve të shmangnin sëmundjet.
Në dekretin ku thuhet se duhet të qëndrohet larg sëmundjeve që do të kërkojnë ndërhyrje urgjente mjekësore, banorëve të fshatit iu kërkua që të “përmbahen nga sjelljet që mund të jenë të dëmshme, të shmangin aksidentet shtëpiake, të mos dalin shumë shpesh nga shtëpitë e tyre, të mos udhëtojnë ose të ushtrojnë aktivitete sportive dhe në vend të kësaj të pushojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre”.
Kryebashkiaku Antonio Torchia deklaroi se dekreti të cilin ai e përshkroi si “provokim humoristik” u lëshua për të ekspozuar mangësitë në sistemin shëndetësor dhe vuri në dukje se rrugët që të çojnë në spitale “paraqesin më shumë rrezik se çdo sëmundje”.
Ndërsa në Houston të Teksasit, afërsisht 180 tonë lëndë narkotike të ruajtura në depon e provave në qendrën policore në Houston thuhet se u bënë shënjestër e minjve. Policia tha se luftimi i minjve “të varur nga droga” që kanë ngrënë sasinë e madhe të drogës në depon e provave është i vështirë, por asgjësimi i drogës duhet të kryhet në përputhje me procedurat mjedisore.
– Mysafiri i paftuar në një dhomë hoteli në shkurt
Në shkurt, një klient që qëndronte në një hotel pranë bregdetit në Vlissingen të Holandës, gjeti një fokë duke fjetur në dysheme kur hyri në dhomën e tij. Me të zbuluar mysafirin e paftuar, klienti i hotelit ia raportoi situatën stafit. Foka, e cila u shqetësua pasi u zgjua, iu dorëzua autoriteteve për t’u liruar përsëri në natyrë.
– Hajduti që gëlltiti vathët me vlerë rreth një milion dollarë
Në muajin mars në Florida të SHBA-së, hajduti Jaythan Gilder u shtir sikur ishte asistent i një lojtari basketbolli të NBA-së për të parë bizhuteritë e një koleksioni të veçantë dhe duke shpërqendruar stafin e dyqanit ai gëlltiti vathë me vlerë afërsisht 769 mijë dollarë.
Gilder vodhi gjithashtu një unazë me vlerë 575 mijë dollarë ndërsa u arrestua pak më vonë. Pasi u mbajt nën vëzhgim në spital për disa ditë, vathët të cilët u nxorën natyrshëm nga trupi i tij, u konfirmuan nga autoritetet dhe u kthyen në dyqan.
– Burri që bleu pa dashje makinën e tij të vjedhur dhe “i dyshuari” interesant i SHBA-së
Në prill, një burrë në Britani bleu pa vetëdije makinën e tij që ia kishin vjedhur. Pasi raportoi makinën e tij të vjedhur në polici, Ewan Valentine bleu një kopje të saktë të automjetit të tij të vjedhur.
Valentine fillimisht nuk dyshoi për asgjë sepse targa ishte ndryshuar kur bleu makinën. Megjithatë, me kalimin e kohës, ai kuptoi se disa sende që gjeti në bagazh i përkisnin atij dhe se adresa e tij e shtëpisë ishte ende e listuar në sistemin e navigimit të makinës.
Në rajonin Massachusetts të SHBA-së, një qukapik u “akuzua” për dëmtimin e më shumë se 25 automjeteve në zonë. Janelle Favaloro, një banore që e kapi në flagrancë qukapikun duke çukitur makinat, ndau një foto në mediat sociale duke thënë “Ka një huligan në lagjen tonë. Huligani përshkruhet si 18 deri në 24 inç i gjatë, i veshur me të bardha dhe të zeza dhe me një kapelë të kuqe”.
Disa banorë i mbuluan automjetet e tyre për t’u mbrojtur nga qukapiku “huligan” i cili shënjestronte veçanërisht pasqyrat dhe xhamat e automjeteve. Mendohet se qukapiku që shënjestroi sipërfaqet reflektuese, ngatërronte reflektimin e vet me një rival gjatë sezonit të çiftëzimit.
– Majmunët që rrëmbejnë të vegjlit pa asnjë arsye
Në maj, një hulumtim i kryer në institutin “Max Planck” për sjelljen e kafshëve në Gjermani zbuloi se majmunët kapuçin në ishullin Jicaron në Panama po “rrëmbenin” në mënyrë të pashpjegueshme të vegjlit e majmunëve ulëritës, një specie tjetër që jeton në ishull.
Hulumtuesit vunë re në pamjet filmike se kapuçinët po kapnin këlyshët e majmunëve ulëritës kur ishin vetëm në majat e pemëve dhe i merrnin me vete. Studiuesit ende nuk e kanë kuptuar arsyen e kësaj sjelljeje ndërsa vlerësuan se kjo mund të jetë për shkak të instinkteve prindërore që kanë majmunët kapuçinë.
– Një elefant i uritur hëngri ushqimet në raftet e një marketi në të cilin hyri
Në qershor, një pronar marketi në Tajlandë ndau pamjet e kamerave të sigurisë në mediat sociale të një elefanti të egër që hynte në dyqanin e tij. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë tregojnë elefantin e uritur duke përdorur feçkën e tij për të marrë ushqime nga raftet dhe për t’i ngrënë ato.
Pas përpjekjeve për ta nxjerrë jashtë nga autoritetet e një parku kombëtar aty pranë, elefanti doli nga dyqani pas një kohe. Pronari i marketit tha se elefanti hëngri afërsisht nëntë pako me krokantë orizi, një sanduiç dhe disa banane.
– Shërbim “Si luanët”
Në korrik, një shërbim i pazakontë çaji në një restorant në provincën Shanxi të Kinës, tërhoqi vëmendjen e medias. Në platformat online, u raportua se restoranti u ofronte klientëve mundësinë të bashkëvepronin me luanët gjatë shërbimit të çajit të pasdites për 1.078 juanë (afërsisht 150 dollarë) për katër persona.
Sipas kësa, përveç shërbimit të çajit, klientëve u ofrohej shërbimi ku ata mund të përkëdhelnin edhe drerë dhe madje edhe alpaka. Një nga punonjësit e restorantit në një deklaratë mbrojti idenë se kishin marrë lejet e nevojshme në lidhje me shqetësimet për rritjen e luanëve në këtë mënyrë dhe se “funksionojnë si një kopsht zoologjik”.
Në një deklaratë nga departamenti lokal i pyjeve u tha se ndërveprimi i ngushtë midis kafshëve dhe njerëzve është i ndaluar dhe se për këtë çështje u nis një hetim.
– Zbulohet pikturë e vjedhur në një njoftim për shtëpi dhe kopshti zoologjik kërkon donacione kafshësh shtëpiake për grabitqarët
Në gusht, një pikturë e vjedhur nga Holanda gjatë Luftës së Dytë Botërore u zbulua në një njoftim për shitje shtëpie në Argjentinë. Piktura e humbur, “Portreti i një zonje” nga piktori italian Giuseppe Vittore Ghislandi, u identifikua në një njoftim për shitje shtëpie në faqen e internetit të një agjenti të pasurive të patundshme argjentinas.
Në njoftim tregohej piktura e varur në murin e shtëpisë në Mar del Plata të Argjentinës, por e cila më vonë u hoq në imazhe 3D. Hulumtuesit që punonin për njësinë e trashëgimisë kulturore të qeverisë holandeze thanë se “nuk ka nevojë të vihet në dyshim autenticiteti” i pikturës, e cila u vodh nga Holanda gjatë Luftës së Dytë Botërore, por se verifikimi mund të bëhej pas ekzaminimeve pas gjetjes së saj.
Pas ngjarjes policia argjentinase bastisi shtëpinë e paraqitur në njoftim për të gjetur pikturën, e cila u identifikua më shumë se 80 vjet pasi u vodh. Policia nuk e gjeti veprën e artit gjatë bastisjes, por sekuestroi disa sende të tilla si armë dhe gdhendje që mund të jenë të dobishme për hetimin. Një hetim është nisur për “posedim dhe kontrabandë të veprës së artit”.
Një kopsht zoologjik në Aalborg të Danimarkës njoftoi se do të pranojë “dhurime kafshësh shtëpiake” për të ushqyer disa nga grabitqarët e tij, siç është rrëqebulli evropian. Në një njoftim të ndarë në llogarinë e kopshtit zoologjik në Instagram, publikut iu bë thirrje të dhuronte kafshë të përshkruara si “kafshë shtëpiake të vogla”, siç janë: pulat, lepujt dhe derrat e Guinesë si dhe kuajt e gjallë.
Njoftimi theksoi se “kafshët e dhuruara” do të “eutanizoheshin butësisht” nga stafi i trajnuar dhe më pas do të përdoreshin si ushqim, duke deklaruar se “Në këtë mënyrë, asgjë nuk shkon dëm dhe ne sigurojmë sjelljen, ushqyerjen dhe mirëqenien natyrale të grabitqarëve tanë”.
Po ashtu në njoftim u theksua se nëse kuajt e shëndetshëm më të shkurtër se 147 centimetra dhurohen në kopshtin zoologjik, pronari mund të marrë një zbritje tatimore bazuar në vlerën e kalit. Njoftimi i kopshtit zoologjik shkaktoi zemërim publik.
– Mashtruesi i veshur si astronaut dhe fëmija që u ngatërrua në çerdhe
Në shtator, një grua 80-vjeçare në ishullin Hokkaido në veri të Japonisë takoi një mashtrues që në mediat sociale hiqej si astronaut. Personi që bënte imitimin si astronaut i tha gruas së moshuar se anija e tij kozmike ishte nën sulm dhe se i duheshin para për të blerë oksigjen.
Pas kësaj gruaja u mashtrua dhe i dërgoi astronautit të rremë afërsisht 1 milion jen (rreth 6.500 dollarë).
Në Sidnei të Australisë, një gjysh përjetoi një incident të pafat ndërsa merrte nipin e tij nga çerdhja. Atij iu dha fëmija i gabuar dhe shkoi në shtëpi me fëmijën pa e kuptuar gabimin.
Problemi u zgjidh kur nëna e fëmijës zbuloi situatën në shtëpi dhe gjyshi e ktheu fëmijën në çerdhe. Ndërkohë, mësuesja që dorëzoi fëmijën e gabuar u pezullua dhe një hetim u nis për çerdhen.
– Majmuni që u kap falë kafesë
Një majmun që i shpëtoi pronarit të tij në tetor u kap falë një filxhani kafeje. Në Karolinën e Jugut të SHBA-së, një majmun i llojit merimangë me emrin “Ava” iku nga pronari i saj, i cili po merrte pjesë në një festival vjeshte në qytezën Eutawville.
Autoritetet e qytezës filluan kërkimin për primatin pasi mësuan se ai po bredhte përreth në mënyrë të lirë. Majmuni merimangë u gjet shpejt, por nuk iu afrua njerëzve. Megjithatë, autoritetet u përpoqën të tërhiqnin vëmendjen e primatit duke lënë një filxhan kafe në tokë.
Pastaj, kur Ava u afrua për të parë kafenë, zyrtarët arritën ta kapnin majmunin dhe t’ia kthenin pronarit të tij.
– Gruaja që ndodhej në arkivol për funeral u zbulua se ishte gjallë
Një nga ngjarjet më të çuditshme të vitit ndodhi në Tajlandë në nëntor. Stafi i funeralit vuri re zhurma që vinin nga arkivoli i një gruaje 65-vjeçare të sjellë në shtëpinë e funeraleve. Pas pak kohe, ata kuptuan se gruaja po lëvizte.
Vëllai i gruas tha se ajo kishte qenë e shtrirë në shtrat për dy vitet e fundit, se frymëmarrja e saj ishte ndalur dy ditë më parë dhe se ajo kishte udhëtuar 500 kilometra në një arkivol për funeralin.
Pasi u kuptua se ishte ende gjallë, gruaja u dërgua në spital.