Vendosni fjalën kyçe....

Lëvizte i dehur me kallashnikov duke kërcënuar qytetarët rrugës, arrestohet 28-vjeçari në Kurbin


Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia mbrëmjen e djeshme në Kurbin, pasi në gjendje të dehur, lëvizte i armatosur, kërcënoi disa qytetarë, si dhe theu xhamat e tre automjeteve dhe të një lokali me qytën e kallashnikovit.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, menjëherë pas marrjes së informacionit se një shtetas i armatosur lëvizte me armë zjarri automatike në dorë, kërcënonte qytetarë dhe dëmtonte prona në zonë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Reagimi”.

Shërbimet e Policisë, në kuadër të këtij operacioni, kapën dhe vunë në pranga shtetasin A. Gj., 28 vjeç, banues në Laç.

Ky shtetas, në gjendje të dehur, lëvizte i armatosur, kërcënoi disa qytetarë, theu xhamat e tre automjeteve dhe të një lokali me qytën e kallashnikovit.

Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën dhe iu sekuestruan një armë zjarri automatike dhe municion luftarak.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.