Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Mesazhet nuk janë prova, mbi bazën e mesazheve po bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave


Kryeministri Rama tha se mesazhet nuk përbëjnë prova dhe se mbi bazën e mesazheve po bëhen gjyqe.

Ai kritikoi veprimet e SPAK-ut lidhur me çështjen ndaj zv.kryeministres Balluku duke thënë se drejtësia në këtë rast kishte ndërhyrë brutalisht në pushtetin ekzekutiv.

“Pabarazia në tender është një vepër tjetër, jo korrupsion, është vepër penale, po e përmbledhur çfarë dua të them…Qëkur mesazhet janë prova? Dhe qëkur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe qëkur mbi bazën e mesazheve bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave kur ngrihej turra e druve se ky i tha atij ashtu dhe ai i tha atij tjetrit ashtu? Qëkur? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër që lidhet se kush tha dhe çfarë tha patjetër që janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq, çfarë ndodh dhe sa përgjegjësi ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet pafajësia kur i është shkatërruar totalisht jeta dhe familja? Kush ia kthen mbrapsht jetën? Drejtësia demokratike ka vendosur kufij.” – tha Rama.

“Jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Ka edhe vepra të tjera. Shpërdorimi i detyrës psh. është një vepër të cilës ju kthye edhe vetë BE së fundmi. Kjo sepse është një term ku futen thesi i madh, me kollajllëkun më të madh sidomos kur jeton në një periudhë kur tenxheret hidhen përpjetë me gjithë kapakë, burg, burg…BE iu kthye me kërkesë të Gjermanisë, jo vetëm të Italisë që e kërkonte prej kohësh dhe ka dalë një direktivë e re për të riparë këtë nocion. Pse? Sepse Kushtetuta thotë janë tre pushtete të pavarura ngë njëri-tjetrin. Drejtësia është e pavarur nga ekzekutivi por edhe ekzekutivi është i pavarur nga drejtësia. Nuk vjen dot një prokuror të thotë pse ti e vendose kështu dhe nuk e vendose ashtu, kjo është një katastrofë, dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim i cili ka një prapavijë të qëllimshme, jo padashje, të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm në mënyrë të vetëdijshme këtu nuk jam i pavarur, këtu është pavarësia e drejtësisë që vjen tek unë.” – shtoi Rama.