Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi i përgjigjet Ramës: Përtej qesharakes, edhe mungesa e ujit në Vlorë u faturohet tubave të opozitës


Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar  ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili fajësoi tubacionet e instaluara në vitin 2009 për defektin e rëndë në ujësjellësin e Vlorës, që ka lënë qytetin pa ujë për disa ditë.

Në një postim në Facebook, Këlliçi e cilëson qëndrimin e Ramës përtej qesharakes, duke theksuar se përgjegjësia për gjendjen e infrastrukturës bie mbi qeverisjen aktuale, e cila, sipas tij, ka 13 vite që administron buxhetin e shtetit dhe kontrollon edhe Bashkinë e Vlorës.

“Rrënuesi i infrastrukturës së Shqipërisë paska gjetur fajtor tubat e Partisë Demokratike”, shkruan Këlliçi, duke ironizuar argumentin e kryeministrit.

Ai shton se, sipas tij, sa herë mazhoranca përballet me një situatë të vështirë apo kapet në flagrancë, përgjegjësia zhvendoset gjithmonë te opozita dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Deputeti demokrat nënvizon se vetë deklarata e Ramës pranon në mënyrë indirekte neglizhencën ndaj komunitetit, pasi, sipas tij, pranohet se në atë zonë nuk është investuar që prej vitit 2009.

“Kjo tregon harresën shumëvjeçare ndaj qytetarëve të Vlorës”, thekson Këlliçi.

Sipas tij, e vetmja gjë pozitive në këtë situatë është fakti që protesta qytetare arriti të alarmojë qeverinë dhe të sjellë reagim nga niveli më i lartë i pushtetit.

“Qytetarët e bashkuar fitojnë”, përfundon reagimin e tij deputeti i Partisë Demokratike.