Vendosni fjalën kyçe....

Kontratat publike, 10 operatorë ekonomikë mbeten të përjashtuar nga tenderët


Të dhënat zyrtare të rifreskuara tregojnë se aktualisht janë 10 operatorë ekonomikë të përjashtuar nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit publik.

Lista e publikuar në mënyrë periodike përmes buletineve të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) tregon se përjashtimet janë vendosur për afate të ndryshme, që variojnë nga 5 muaj deri në 2 vjet dhe kanë nisur në faza të ndryshme nga nëntori 2024 deri më nëntor 2025.

Bizneset e përfshira në “listën e zezë” rezultojnë të përjashtuara për periudha të ndryshme kohore, në varësi të shkeljeve të konstatuara dhe vendimeve përkatëse të APP-së. Kuadri ligjor në fuqi parashikon që operatorët ekonomikë mund të përjashtohen nga tenderët publikë për periudha që variojnë nga disa muaj deri në disa vite, në bazë të procedurave dhe verifikimeve të kryera nga agjencia.

Agjencia e Prokurimit Publik ka theksuar edhe më herët, në përmbledhjet vjetore të aktivitetit të saj, se vendimet për përjashtim merren pas analizimit të raporteve të auditimit të vetë APP-së, si edhe si rezultat i propozimeve të autoriteteve kontraktore, operatorëve ekonomikë apo institucioneve të tjera audituese, në ushtrim të funksioneve të tyre ligjore.

Shkaku kryesor i përjashtimeve lidhet me keqinformimin dhe paraqitjen e dokumentacionit me të dhëna të rreme në procedurat e tenderimit, në kundërshtim me përcaktimet e ligjit për prokurimin publik. Në disa raste, operatorët janë penalizuar për keqinformim me qëllim kualifikimi të autoritetit kontraktor, ndërsa në raste të tjera për dorëzimin e dokumenteve të pavërteta gjatë fazave të procedurës.

Ankesa dhe masa mund të merren gjithashtu edhe kur operatorët nuk respektojnë afatet e përmbushjes së kontratave për të cilat janë zotuar me autoritetet kontraktore në fillim të procesit. APP përveç komunikimeve zyrtare me institucionet analizon dhe merr parasysh edhe denoncimet që mund të vijnë në adresë të saj në formë direkte./ Monitor