
Kandidati për kryeministër nga LVV-ja, Albin Kurti përmes një videoje të shkurtër në rrjetet e tij sociale ka bërë thirrje që komisionerët e vëzhguesit të ruajnë votat, tashmë kur ka përfunduar procesit i votimit dhe ka filluar numërimi.
“Vullneti i qytetarëve tashmë gjendet në kutitë e votimit. Ruajtja e këtij vullneti të shprehur është esencial për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor. Aty e kemi përcaktimin për të ardhmen e vendit tonë dhe të institucioneve të tij. E për këtë gjë, mendjet, sytë dhe veshët tanë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Keni detyrë tejet të rëndësishme saqë vendimtare”.