
Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj akuzoi kryeministrin Rama dhe shefen e AKSHI-t Mirlindan Karçanaj se kanë në dorë të dhënat e çdo shqiptari, duke nisur nga ato shëndetësore, hyrjet-daljet në vend, pronat, Kadastrën etj.
Përmes një videomesazhi ai tha se të gjithë këto të dhëna janë tashmë në duart e bandave kriminale ndërsa dha alarmin se këto të dhëna mund të manipulohen në çdo kohë.
“Para disa ditësh, një miku im më shkruajti e më tha: “Mora përgjigje të analizave të gjakut në e-Albania. Çfarë do të thotë kjo, që Mirlinda Karçanaj dhe banda e saj, apo edhe qeveria, dinë çdo lloj informacioni? Dinë edhe përgjigjet e analizave të gjakut që mora unë?”
Përgjigja është: Po! Absolutisht, po.
Por jo vetëm kaq. Çfarë është më e rëndë, është që SPAK-u ka zbuluar që, nëpërmjet AKSHI-t, kanë futur duart në Kadastrën, kanë ndryshuar pronarët e disa pronave dhe për këtë po heton SPAK-u.
Është e paimagjinueshme pushteti që ka AKSHI, dhe drejtoresha e Edi Ramës që vazhdon të jetë në detyrë, pavarësisht se SPAK-u e ka vendosur në arrest në shtëpi. Mund të fusin duart kudo! Kanë në dorë pronat tona. Kanë çdo lloj informacioni që ka të bëjë me jetën tonë të përditshme: nga gjendja jonë shëndetësore, sëmundjet, ilaçet, hyrjet dhe daljet në Shqipëri, gjobat që marrim. Çdo lloj informacioni që kalon nëpërmjet AKSHI-t është në dorë të Mirlinda Karçanaj, për të cilën SPAK-u thotë që është pjesë e një bande kriminale. Dhe Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë.
Duhet të zgjohemi! Është skandal ajo që po ndodh. Jeta jonë, jeta e çdo qytetari të Shqipërisë, është në duart e Mirlinda Karçanaj, një anëtare e një bande kriminale, që Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë.” – tha Shehaj.