Vendosni fjalën kyçe....

Mirel Mërtiri, njeriu hije i inceneratorëve


SPAK-u ka arrestuar një ministër, një sekretar të përgjithshëm ministrie, dhe ka marrë në pyetje shumë struktura të piramidës shtetërore, të cilat kanë firmosur apo janë përfshirë në atë që quhet afera e shekullit, skandali i inceneratorëve.

Gjithçka fillon me 22 milionë euro për inceneratorin e Elbasanit, i cili në fakt, edhe pse ka përfunduar, u kthye në një skandal korruptiv, që çoi në arrestimin e ish-ministrit të mjedisit, Lefter Koka dhe sekretarit të tij të përgjithshëm Allqi Bllako.

Pas Elbasanit, orekset u hapën me Fierin me 28 milionë euro, në fund është kontrata 30-vjeçare e landifillit dhe inceneratorit të Tiranës, prej 430 milionë eurosh, ku edhe pse është firmosur në gusht të 2017-s, në Tiranë nuk ka incenerator.

Shumë fakte dhe dokumente u zbuluan nga Komisioni Hetimor Parlamentar, i drejtuar nga Jorida Tabaku, por jo të gjitha u thanë aty.

Shumë personazhe u paraqitën dhe të tjerë jo. Dikush shfaqet dikush nuk shfaqet.

Janë shpallur në kërkim Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, por një personazh i shumëraportuar nga media, i quajtur Mirel Mërtiri, është njeriu hije, për të mos thënë “koka” e inceneratorëve, sipas shumë fakteve, jo vetëm akuzave politike, po dhe dokumenteve.

Mirel Mërtiri është bashkëjetuesi dhe baba i fëmijëve të Stela Gugallës. Personi që shfaqet në Elbasan, pa bërë kurrë biznes, pa pasur kurrë para, hap një kompani që e quan “Albtech” dhe më pas merr kontratë koncensionare 22 milionë euro.

Aty zhvillon aktivitet dhe ITC, kompania e Klodian Zotos, e cila më pas merr me koncension inceneratorin e Fierit.

Dhe në fund lind kompania Integreated Energy, sot Geogenix, e cila përfiton një kontratë koncensionare 430 milionë euro për 30 vjet në Tiranë, ku do të ndërtojë një incenerator, dhe incenerator nuk ka, thjeshtë dhe vetëm merr landfillimin e Sharrës dhe e fut në përdorim.

PSE MIREL MËRTIRI?

Merret Mërtiri sepse ai shfaqet disa herë tek inceneratorët.

Mirel Mertiri (Foto montazh)

Së pari si administrator i kompanisë Er One, ku ortak është Ernesto Graneli dhe Stela Gugallja, bashkëjetuesja e tij.

Ernesto Graneli vjen si pronar i kompanisë Energy Ricoperator, e cila do të sjellë inceneratorët për Shqipërinë, ai më pas shfaqet me 30% aksioner tek inceneratori i Fierit dhe më pas largohet që aty.

Nuk është vetëm kjo gjurmë ku administrator në një kompani inceneratorësh janë një italian dhe bashkëshortja e tij Stela Gugallja.

Mirel Mërtiri është një person, që ka takuar shumë personazhe të medias, po përmendim një këtu, i cili e ka deklaruar publikisht. Ai është Ylli Rakipi, gazetari i të “Paekspozuarve”, një nga të parët që ka raportuar për inceneratorët.

Ai ka deklaruar dhe publikisht se është takuar me Mirel Mërtirin, në shtator të vitit 2017 dhe me një personazh tjetër të botës së medias në atë kohë, dhe i është kërkuar që të mos shkruajë apo të mos flasë për inceneratorët.

Pikërisht, takimi është bërë me Mirelin. Ç’punë kishte Mireli me inceneratorët?

Ylli Rakipi tregon se ai ishte një nga njerëzit që bënte pazaret, në thonjza, për inceneratorët.

Nga ana tjetër, Mirel Mërtiri shfaqet me kompaninë Geogenix, në grupet e negociimit në Afrikë apo me letra dërguar në vende të tjera të botës.

CNA.al ka treguar me dokumente se si Mirel Mërtiri ka firmosur kërkesa.

Mirel Mërtiri del si negociator i “Geogenix B.V”, në Zimbabve.

CNA.al ka nxjerrë dokumente se si Mirel Mërtiri vendosej me grupet e negociatorëve. Pra, Mirel Mërtiri nuk është i rastësishëm tek inceneratorët, pavarësisht se ai qëndron në hije, pavarësisht se ai pretendon që nuk është nën hetim, apo është një qytetar i lirë.

Në fakt Mirel Mërtiri shfaqet edhe te një kompani tjetër, EM Capital Group, e cila vjen nga Bullgaria, blen për 2.2 milionë euro, 51% të aksioneve të Valtelino Caffe-së, e cila është kompania që menaxhon brandin “Lori Caffe”, dhe më pas këto aksione ia kthen, edhe pse i ka dhënë mbi 2 milionë dollarë.

Në vitin 2019, Mirel Mërtiri shfaqet drejtpërdrejt me firmën e tij në Irak, si përfaqësues i kompanisë “Integrated Energy B.V.”.

Ndoshta dikujt mund t’i duket e pabesueshme, por është e vërtetë.

Në korrik të këtij vitit, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, nëpërmjet kompanisë EM Capital Group në Bullgari, ku në ortakëri ishte edhe një personazh i tretë, i kanë kthyer 100% të aksioneve Vjollca Hoxhës, sipas justifikimit kontrata e shitblerjes nuk është zbatuar e plotë. Vjollca mori paratë, Vjollca mori dhe aksionet.

SPAK-u duhet ta shohë, pse Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, i blenë këto aksione dhe më pas ia falën Vjollcës.

Më tej, Mirel Mërtiri ka fakte, prova, foto tek inceneratori i Tiranës, të cilat janë publikuar, por dhe një lidhje tjetër e fortë e tij me qeverinë, është aksident në Maqedoni, ku Mërtiri është së bashku me ish-zv kryeministrin e Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Nuk janë të pakta lidhjet, pavarësisht se Mirel Mërtiri kërkon të qëndrojë në hije.

Faktet janë të renditura nga aksionerët me administratorët te kompania e bashkëjetueses ku është aksionere Stela Gugallja e inceneratorit të Elbasanit bashkë me italianin Granelli, i cili shfaqet në të gjithë skemën e inceneratorëve.

Faktet e dokumenteve që tregojnë kërkesat drejtuar në vende të ndryshme të botës deri te grupet e punës apo grupet negociatore ku është emri i Mirel Mërtirit, kompanitë në Bullgari ku ai pretendohet se është dhe rezident, ku fillon një kompani e cila vjen blen “Lori Caffe” dhe më pas ia fal aksionet.


Më tej, takimet me gazetarë dhe pagesat për mediat, të cilat vazhdojmë pa folur për skandalin e ZimBabves, ku Mirel Mërtiri pretendon që nuk është Ilir Dede, por e rëndësishme në gjithë skemën korruptive të inceneratorëve, nuk ka rëndësi është apo jo Ilir Dedja, Mirel Mërtiri.

Emri i Mirel Mërtirit del edhe në një akt noterial, për të hapur llogari apo për të transferuar para në Zvicër.

Mirel Mërtiri është njeriu hije i inceneratorëve, i cili tashmë shfaqet, që tashmë të gjithë e dimë që ai shfaqet kudo, ku duhet negociuar me mediat, kudo ku duhet negociuar për të marrë kontrata koncensionare, apo për të menaxhuar situatat në terren, pasi Klodian Zoto është në kërkim, bashkëjetuesja e Mirelit, Stela Gugallja, fshihet në Vienë, ndërsa Mireli është njeriu i terrenit që tashmë ka një barrë të madhe pasi duhet të kontrollojë gjithçka dhe të menaxhojë deri te situata e hetimeve në lidhje me inceneratorët, duke filluar nga Elbasani te Fieri e duke shkuar deri në Tiranë, ku ende nuk ka hapa konkretë dhe rezultate në lidhje me hetimin.

Por Mirel Mërtiri tashmë qartësisht është njeriu hije i inceneratorëve, pse jo edhe “koka” e tyre.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al