
Moska ka të ngjarë të stacionojë raketa të reja balistike hipersonike të afta për të mbajtur mbushje bërthamore në një ish-bazë ajrore në Bjellorusinë lindore, një zhvillim ky që mund të forcojë aftësinë e Rusisë për të lëshuar raketa anembanë Evropës, kanë zbuluar dy kërkues amerikanë përmes studimit të pamjeve satelitore.
Vlerësimi i kërkuesve përputhet gjerësisht me gjetjet e inteligjencës amerikane, tha një person i njohur me çështjen, i cili foli në kushte anonimiteti duke qenë se bëhet fjalë për ndarje informacionesh që nuk janë të autorizuara për publikim.
Presidenti rus Putin e ka bërë të qartë synimin e tij për të vendosur raketat me rreze të mesme Oreshnik, me një rreze veprimi të vlerësuar deri në 5,500 km, në Bjellorusi, por vendndodhja e saktë nuk ishte raportuar më parë.
Vendosja e Oreshnik-ut do nënvizonte varësinë në rritje të Kremlinit te kërcënimi i armëve bërthamore, ndërsa kërkon të pengojë anëtarët e NATO-s nga furnizimi i Kievit me armë që mund të godasin thellë brenda Rusisë, thanë disa ekspertë.
Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Ambasada e Bjellorusisë refuzoi të komentonte. Agjencia shtetërore e lajmeve Belta citoi ministrin e Mbrojtjes Viktor Khrenin të mërkurën të thoshte se vendosja e Oreshnik-ut nuk do ndryshonte ekuilibrat e fuqisë në Evropë dhe ishte “përgjigjja jonë” ndaj “veprimeve agresive” të Perëndimit.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment dhe CIA refuzoi të komentonte.
Strategjia e rishikuar ruse
Kërkuesit Jeffrey Lewis nga Instituti Middlebury i Studimeve Ndërkombëtare në Kaliforni dhe Decker Eveleth nga organizata e kërkimit dhe analizës CNA në Virxhinia, thanë se i bazuan gjetjet e tyre në pamjet nga Planet Labs, një firmë komerciale satelitore, që shfaqnin karakteristika konsistente me një bazë ruse të raketave strategjike.
Lewis dhe Eveleth thanë se ishin 90 për qind të sigurt se lëshuesit lëvizës të Oreshnik do stacionoheshin në ish-bazën ajrore afër Krichev, rreth 307 km në lindje të kryeqytetit bjellorus, Minsk, dhe 478 km në jugperëndim të Moskës.
Moska testoi një Oreshnik të armatosur konvencionalisht kundër një objektivi në Ukrainë në nëntor 2024. Putin mburret se është e pamundur të ndalohet për shkak të shpejtësisë që raportohet se kalojnë Mach 10.
Putin planifikon ta vendosë armën “në Bjellorusi për të zgjeruar rrezen e saj më tej në Evropë,” tha John Foreman, një ekspert në Chatham House i cili shërbeu si atashe britanik i mbrojtjes në Moskë dhe Kiev.
Foreman tha se ai gjithashtu e sheh këtë lëvizje si një reagim ndaj stacionimit të planifikuar në Gjermani vitin e ardhshëm nga SHBA-ja të raketave konvencionale, përfshirë raketën hipersonike me rreze të mesme Dark Eagle.
Vendosja e Oreshnik-ut do ndodhte vetëm pak javë para skadimit të paktit New START të vitit 2010, traktati i fundit SHBA-Rusi që kufizon vendosjen e armëve strategjike bërthamore nga fuqitë më të mëdha bërthamore në botë.
Putin tha pas një takimi të dhjetorit 2024 me homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko, se Oreshnik mund të stacionohet në Bjellorusi në gjysmën e dytë të këtij viti — pjesë e një strategjie të rishikuar në të cilën Moska po bazon armët bërthamore jashtë territorit të saj për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë.
Lukashenko javën e kaluar tha se raketat e para ishin vendosur, pa përmendur një vendndodhje. Ai tha se deri në 10 Oreshnikë do bazoheshin në Bjellorusi. Kërkuesit amerikanë vlerësuan se vendi është i madh mjaftueshëm për të mbajtur vetëm tre lëshues dhe se të tjerët mund të bazohen në një vendndodhje tjetër.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump punon për të arritur një marrëveshje me Moskën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila u ka kërkuar aleatëve të saj perëndimorë të dërgojnë armë që mund të arrijnë thellë brenda Rusisë. Trump hëpërhë e ka refuzuar kërkesën e Kievit për raketa Tomahawk, të afta për të goditur Moskën. Britania dhe Franca kanë furnizuar Ukrainën me raketa lundruese. Gjermania në maj njoftoi se do bashkëprodhojë raketa me rreze të gjatë me Ukrainën, pa kufizime në rrezen apo shënjestrimin e tyre.
Ndërtim i nxituar
Kërkuesit amerikanë thanë se shqyrtimet e pamjeve të Planet Labs zbuluan një projekt ndërtimi të nxituar që filloi mes 4-12 gushtit dhe shfaqi karakteristika konsistente me ato të një baze ruse të raketave strategjike.
Një “shenjë e qartë” në një foto të 19 nëntorit është një “pikë transferimi hekurudhore e nivelit ushtarak” e rrethuar nga një gardh sigurie, ku raketat, lëshuesit e tyre lëvizës dhe komponentët e tjerë mund të dërgoheshin me tren, tha Eveleth, shkruan Reuters.
Një tjetër veçori, tha Lewis, është hedhja e një shtrese betoni në fund të pistës, e cila më pas u mbulua me dhera.
Pavel Podvig, një ekspert i forcave bërthamore ruse me bazë në Gjenevë, tha se ishte skeptik nëse vendosja e Oreshnik-ut do t’i siguronte Moskës ndonjë avantazh shtesë ushtarak apo politik përveç sigurimit të Bjellorusisë për mbrojtjen e saj.
Por Lewis tha se vendosja e Oreshnik në Bjellorusi nënvizoi se si stacionimi i armëve bërthamore nga Rusia jashtë territorit të saj dërgoi një “mesazh politik” të varësisë së saj të shtuar tek ato.
“A mund ta imagjinoni nëse ne do të vendosnim një Tomahawk me mbushje bërthamore në Gjermani në vend të atyre konvencionalëve?” tha Lewis. “Nuk ka asnjë arsye ushtarake për ta vendosur sistemin në Bjellorusi, vetëm arsye politike.”