Vendosni fjalën kyçe....

SPAK kryen 34 kontrolle ndaj Belinda Ballukut dhe bashkëpunëtorëve të saj



Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar 34 kontrolle ndaj personave të konsideruar të afërt dhe bashkëpunëtorë të zv/kryeministres Belinda Balluku, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj saj.

Burime bëjnë me dije se në fokus të kontrolleve ka qenë Sindi Dushku, shefe kabineti e zv/kryeministres Balluku. Kontrollet janë ushtruar gjithashtu në banesa dhe biznese të biznesmenëve Ilir Shtufi dhe Rrok Gjoka, si edhe ndaj zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Sipas raportimeve, SPAK ka ushtruar më herët kontrolle edhe në banesën e Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtoreshë e KESH-it, në banesën e Gentian Gjylit, ish-drejtor i ARRSH-së, i pandehur dhe në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, si dhe në banesën e Erald Elezit, ish-drejtor i KESH-it, gjithashtu i pandehur dhe në arrest shtëpie.

Hetimet po intensifikohen, ndërsa SPAK pritet të paraqesë prova të reja në Kuvend. Prokuroria ka kërkuar autorizim për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut dhe dhënien e lejes për heqjen e lirisë së saj.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet lidhen me dyshime për abuzime me tendera publikë, ku pretendohet se në disa raste janë paracaktuar fituesit. Dosja përfshin projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike, përfshirë Tunelin e Llogarasë, Unazën e Madhe dhe disa projekte në sektorin e energjisë.

SPAK pretendon se këto abuzime kanë shkaktuar dëme financiare në vlera milionëshe për buxhetin e shtetit. Hetimet vijojnë.