
Për shkak të kërkesës së mbrojtjes së të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit special, Bekim Kodraliu, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është ndërprerë seanca fillestare për rastin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit.
Në seancë ishin të pranishëm dy nga tre të pandehurit për shpërthimin e ndodhur në kanalin Ibër-Lepenc në fshatin Varragë të Zubin Potokut, ndërsa i akuzuari i tretë po mbrohet në liri.
Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Dragisha dhe Jovan Viqentijeviç, si dhe Igor Dimoviç, për veprat penale: “rrezikim i rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike”, “kryerje e aktit terrorist”, “armëmbajtje pa leje” dhe “spiunazh”.
Dragisha dhe Jovan Viqentijeviç janë arrestuar pas shpërthimit më 29 nëntor 2024 dhe që nga ajo kohë ndodhen në paraburgim./REL