
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, tha mbrëmjen e sotme se protesta e PD-së pasditen e djeshme ishte sfilatë.
Madje ai e quajti atë sfilatë pa pjesëmarrje. I ftuar në New24, Sula tha se Sali Berisha nuk e sjell dot më ndryshimin në vend pas 35 vitesh në politikë.
“Protesta dje ishte sfilatë për mendimin tim. Edhe një sfilatë ka pjesëmarrje. E quaj sfilatë sepse pritshmëritë u ngritën shumë lart; ka militantë të PD që besonin se do rrëzohej qeveria, dhe shkuan, dhe mirë bënë. Më shumë duhet të ishin, sepse protestat janë të rëndësishme. Por problemi është pse u organizua protestë. Për deklarata? Të besosh se pas 35 vitesh do e sjellë Sali Berisha ndryshimin, nuk e sjell dot më. Nuk kam asgjë personale me Berishën, por dëgjoj çfarë thonë njerëzit: 10 njerëz, 7 thonë do votoj Ramën sepse edhe pse është e korruptuar, qeveria e Berishës ka vrarë njerëz. Unë si qytetar dua që në Shqipëri të funksionojë demokracia, të ndërrohen elitat dhe të vetëpastruar,” tha Sula.