Vendosni fjalën kyçe....

Si ia doli kryeministri belg Bart De Wever të mposhtë makinerinë e establishmentit të BE-së


Për dekada, Belgjika ka qenë zemra rrahëse e Evropës. Fakti që kryeministri i saj aktual luftoi kundër BE-së…dhe fitoi…hap një kapitull të ri dramatik për bllokun.

Edhe pse BE-ja ra dakord të dërgonte 90 miliardë euro për Ukrainën pas 16 orësh bisedimesh maratonë që përfunduan të premten në mëngjes, kjo fsheh një ndasrje edhe më të madhe të unitetit evropian. Fitorja e Bart De Wever do të thotë se kjo është një tjetër fitore për një udhëheqës anti-establishment.

Plani për të përdorur asetet ruse të ngrira për të paguar huanë, i cili për një kohë të gjatë ishte ideja e vetme në shqyrtim, është bërë copë e ccikë. De Wever, nacionalisti flamand, karriera e të cilit është bazuar në dëshirën për të ndarë vendin e tij, rezistoi për më shumë se dy muaj. Edhe të enjten pasdite, shumë qeveri të BE-së besonin se ai do tërhiqej.

Ai nuk u tërhoq.

“Ai praktikisht mori gjithçka që donte,” tha një diplomat i BE-së pasi samiti u mbyll në orët e para të së premtes. Bazuar në bisedat me 23 zyrtarë, diplomatë dhe politikanë të BE-së, pothuajse të gjithë në kushte anonimiteti, kjo është historia se si ai ia doli.

Nga Berlini në Bruksel

Gjithçka nisi gjatë një nate të butë në tetor. Kjo ishte hera e fundit që udhëheqësit e BE-së u takuan dhe kur shpresuan fillimisht se do arrinin një marrëveshje për të ndërmarrë hapin e paparë të përdorimit të aseteve ruse për t’i dhënë Ukrainës mbështetje financiare. BE-ja është mësuar me udhëheqës si Viktor Orban i Hungarisë që tregojnë forcën e tyre, por, papritur, 54-vjeçari De Wever u bë i fundit që doli nga rreshti.

Kur udhëheqësit u larguan nga ai takim me turp dhe duarbosh pasi i premtuan Volodymyr Zelenskyt se ishin gati t’i dërgonin Kievit miliarda euro, ata u betuan se u duheshin vetëm dy muaj të tjerë për të bindur belgun. Përkundrazi, me kalimin e kohës, më shumë udhëheqës morën anën e tij. Ajo që filloi të shfaqej ishte një bllok populist.

Pas takimeve pothuajse të përditshme të ambasadorëve të BE-së, dhjetëra telefonatave dhe përpjekjeve diplomatike nga Berlini në Bruksel, dy kampe rivale po tërhiqnin ende në drejtime të kundërta deri në mëngjesin e samitit të së enjtes.

“A është Belgjika vetëm? A është Belgjika e izoluar? Nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë,” u tha De Wever ligjvënësve belgë përpara se të nisej drejt lagjes së BE-së në kryeqytetin e tij. Ai e dinte se nuk ishte vetëm.

Kampi i parë i vendeve – i udhëhequr atëherë nga Belgjika me mbështetjen e Italisë, Bullgarisë dhe Maltës – kundërshtoi përdorimin e aseteve të Rusisë nga frika e hakmarrjeve. Në vend të kësaj, ata donin që BE-ja të merrte hua paratë bashkërisht. Fakti që kjo ide ishte e papëlqyeshme për kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe Orbanin e Hungarisë, e megjithatë doli të ishte saktësisht ajo që ndodhi, tregon shkallën e fitores së De Wever.

Reduksioni i dhjetorit

De Wever ishte shpërblyer për kokëfortësinë e tij të tetorit me një popullaritet të paparë në shtëpi dhe vëmendje të madhe nga peshat e rënda të BE-së. Duke vijuar të kundërshtonte t’i dorëzohej presionit, ai vetëm sa e bëri veten më popullor.

Në fillim të dhjetorit, njeriu që kishte kaluar karrierën e tij politike duke denigruar pjesët frankofone të Belgjikës, mori duartrokitje të gjata pas një ligjërate para një audience frankofone. 67% e belgëve të anketuar javën e samitit thanë se mbështetnin kundërshtimin e tij ndaj planit të aseteve të ngrira ruse.

Në fillim të muajit, Merz i Gjermanisë dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e ftuan De Wever për darkë në Bruksel, duke bërë të pamundurën për ta bindur atë të hiqte dorë nga kundërshtimi i tij. Dy gjermanët nuk arritën asgjë me metodën e “karrotës”. Kështu që disa diplomatë sugjeruan “shkopin”.

Një javë më parë, diplomatët e BE-së sugjeruan se nëse Belgjika nuk vinte në tryezë për planin e aseteve, ajo do lihej jashtë vendimmarrjes, ashtu siç është bërë me Hungarinë. Por paralajmërimi nuk bëri shumë punë për të lëkundur De Wever-in.

Dita e samitit

Ndërsa mblidheshin në ndërtesën Europa, 27 udhëheqësit e BE-së vendosën të linin diskutimin për financimin e Ukrainës për në fund, për t’i dhënë kohë vetes që të bindnin De Wever-in.

Aksioni i vërtetë po ndodhte në dhomat e pasme. Ndërsa kolegët e tij debatonin çështje kyçe si zgjerimi, kryeministri belg dhe lojtarë të tjerë, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe gjermanin Merz, u larguan nga dhoma. Çmimi i De Wever-it për mbështetjen e planit të aseteve: Garanci financiare të pakufizuara nga vendet anëtare kundrejt paketës 210 miliardë euroshe, në rast se Rusia do ngrinte padi ose do hakmerrej.

Por ideja për t’i dhënë Belgjikës një “çek të bardhë” ishte e pamundur. Pas katër orësh bisedimesh, kishte një perspektivë të vërtetë për dështim të marrëveshjes. Ideja e përdorimit të aseteve ruse u shpërbë pak pasi një dokument ligjor prej dy faqesh u qarkullua mes udhëheqësve. Për shumë prej tyre, ai ngrinte shumë pyetje. Plani kishte vdekur.

Me kohën që po mbaronte, diskutimi kaloi te Plani B i Komisionit Evropian: huamarrja e përbashkët. Von der Leyen kishte hapur derën për eurobondet të mërkurën në mëngjes gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian. Pyetja ishte se si BE-ja do bindte Hungarinë të hiqte veton.

Në këmbim të mbështetjes së Orbanit, Komisioni do t’i kursente taksapaguesit hungarezë nga detyrimi për të paguar për mbrojtjen e Ukrainës. Orban, Andrej Babis i Çekisë dhe Robert Fico i Sllovakisë – trojka e udhëheqësve euroskeptikë – u mblodhën në një takim privat dhe në fund morën përjashtimet e tyre nga skema e borxhit të përbashkët.

Detyra përpara

Ajo që bashkoi 24 udhëheqësit e tjerë ishte dakordësia se dështimi në këtë samit nuk ishte një mundësi. Pa paratë e BE-së, Ukraina do falimentonte vitin e ardhshëm. Zelensky u tha gazetarëve se dështimi do të thoshte më pak armë dhe më shumë viktima.

Në fund, marrëveshja e kompromisit do të thotë se pothuajse çdo udhëheqës mund ta shesë atë si një fitore. Por asnjëri aq shumë sa kryeministri belg. Lajmi i keq për të është se në korridoret e pushtetit të BE-së, kjo nuk do të harrohet për një kohë të gjatë.

“Bart De Wever nuk do të marrë asnjë favor nga Komisioni së shpejti,” tha një diplomat.

“Dhe ai ka shumë të ngjarë që do të ketë nevojë për to.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico