
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e djeshme një qendër tregtare në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Prizren, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Ngjarja ka ndodhur pas orës 23:00, në qendrën tregtare të njohur si “Te Shtrumfat”.
Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë menjëherë njësitë e Policisë së Kosovës dhe shërbimet e zjarrfikësve, të cilët kanë punuar gjatë gjithë natës për vënien e flakëve nën kontroll. Zjarri është lokalizuar në orët e para të mëngjesit, raporton RTK.
Si pasojë e zjarrit, gjashtë lokale janë djegur plotësisht dhe janë bërë të papërdorshme. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa sot po vijojnë punimet për ftohjen e zonës dhe garantimin e sigurisë.