Vendosni fjalën kyçe....

Egjipti: Marrëveshja e gazit me Izraelin është thjesht komerciale dhe nuk lidhet me Gazën


Egjipti ka deklaruar se marrëveshja e re për gazin natyror me Izraelin, me vlerë rreth 30 miliardë dollarë, është një marrëveshje thjesht ekonomike dhe nuk përfshin asnjë lloj mirëkuptimi politik mes dy vendeve, përfshirë çështjen e Gazës.

Kreu i Shërbimit Shtetëror të Informacionit në Egjipt, Diaa Rashwan, tha se marrëveshja është nënshkruar vetëm mbi baza tregtare dhe theksoi se qëndrimet politike të Kajros, veçanërisht ndaj çështjes palestineze, nuk kanë asnjë lidhje me këtë kontratë energjetike.

“Marrëveshja është e motivuar thjesht nga interesa ekonomike dhe është larg çdo interpretimi politik”, deklaroi Rashwan, përcjell Ynet.

Në një reagim zyrtar, autoritetet egjiptiane e cilësuan marrëveshjen si një “interes strategjik të qartë” për vendin, duke theksuar se ajo përforcon objektivin afatgjatë të Egjiptit për t’u shndërruar në një qendër rajonale të tregtisë së gazit natyror në Mesdheun Lindor.

Sipas Rashwanit, marrëveshja përfshin kompani të mëdha ndërkombëtare energjetike që operojnë prej vitesh në rajon, përfshirë gjigantin amerikan Chevron, si edhe kompani egjiptiane, ndërsa është arritur pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë të qeverive.

Ai paralajmëroi kundër, siç i quajti, përpjekjeve për ta politizuar këtë marrëveshje.

Zyrtari egjiptian theksoi se qëndrimi i Kajros për Palestinën mbetet i pandryshuar, duke nënvizuar se Egjipti vazhdon të mbështesë “të drejtat legjitime të popullit palestinez”, kundërshton zhvendosjen me forcë dhe mbetet i përkushtuar ndaj zgjidhjes me dy shtete.

Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi marrëveshjen si “marrëveshjen më të madhe të gazit në historinë e Izraelit”.

Ai deklaroi se vlera totale e saj arrin në 112 miliardë shekelë, rreth 30 miliardë dollarë, nga të cilat 58 miliardë shekelë pritet të përfundojnë në arkën e shtetit izraelit.

Netanyahu shtoi se vetëm në katër vitet e para, rreth 500 milionë shekelë në vit do të derdhen në buxhetin e shtetit, ndërsa të ardhurat pritet të rriten deri në rreth 6 miliardë shekelë në vit pas përfundimit të investimeve infrastrukturore, përfshirë zgjerimin e tubacioneve të gazit.

Sipas raportimeve, miratimi i marrëveshjes ka ardhur edhe pas presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe pritet të hapë rrugën për një samit trepalësh mes Netanyahut, presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sissi, i cili pritet të mbahet në rezidencën e Trump në Florida.

Autoritetet egjiptiane këmbëngulin se, pavarësisht rëndësisë ekonomike të marrëveshjes, ajo nuk ndryshon në asnjë mënyrë pozicionin politik të Egjiptit në raport me konfliktin izraelito-palestinez dhe zhvillimet në Gaza.