
Ervin Salianji ka reaguar pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, duke ironizuar fokusin e diskutimeve dhe mënyrën se si u trajtua çështja e protestës kundër qeverisë.
Në një prononcim për mediat, Salianji u shpreh se ishte i kënaqur që më në fund u mor vendimi për organizimin e protestës së 22 janarit, por theksoi se mbledhja u dominua nga përplasjet e brendshme dhe jo nga skandali Rama–Balluku.
“Organizimi i protestave dhe revoltës ndaj qeverisë për shkak të skandalit Rama–Balluku, isha i gëzuar që vendimmarrja për protestën e datës 22 shkoi aty ku e kam kërkuar prej kohësh, për të pasur protesta dhe revoltë. Më vjen mirë që në 4 orë pati ‘protestë’ ndaj demokratëve të pakënaqur dhe gjysmë ore ndaj Ballukut”, tha Salianji.
I pyetur nga gazetarët nëse mbledhja e Kryesisë ishte zhvilluar kundër tij, Salianji e mohoi një gjë të tillë, duke sqaruar se bëhej fjalë për mendime të ndryshme brenda strukturave drejtuese të partisë.
“Jo, kishte mendime të ndryshme. Do ecim përpara, çdo ndryshim nuk vjen pa sakrificë dhe përplasje. Çdo akuzë dhe çdo idiotësi do i përgjigjemi me fakte konkrete”, u shpreh ai.