Vendosni fjalën kyçe....

Berisha në seli, Salianji mbush sallën në Gjirokastër: Shqiptarët duan ndryshim, këtë e sjell vetëm PD-ja



Ervin Salianji ka vijuar turin e takimeve me strukturat e Partisë Demokratike, duke u ndalur këtë herë në Gjirokastër. Në fjalën e tij, ai theksoi se qytetarët kërkojnë një ndryshim të vërtetë politik, i cili sipas tij mund të vijë vetëm përmes PD-së.

“Edi Ramën ne duhet ta mundim dhe mund ta mundim. Por nuk mund të rrimë edhe 7 muaj pas zgjedhjeve për të ngrohur karriget tona dhe të mos flasim për disa probleme. Problemi i brendshëm është i pakapërcyer. Në këtë periudhë nuk ka ndryshuar gjë,” u shpreh ai në nisje të takimit.

Salianji theksoi nevojën për energji të reja brenda PD-së dhe për një qasje të re politike:
“Vendi ka nevojë për energji të reja dhe njerëz që kanë marrë votëbesimin e qytetarëve. Është e vështirë që një parti politike të fitojë pa pasur të vërtetën dhe moralin me vete, dhe kjo është e vërteta jonë. Shqiptarët kërkojnë ndryshim real që vetëm PD mund ta sjellë.”

Ai nënvizoi se partia duhet të reformohet nga brenda dhe të krijojë organizma të përgjegjshëm që nuk përsërisin gabimet e së shkuarës.
“Duhet krijuar struktura në PD që nuk bëjnë gabime. PD duhet të ringrihet, për të mbushur sheshet. Nëse ne nuk kemi guxim të ndryshojmë veten, Shqipëria do ta ketë të vështirë të ndryshojë.”

Në vijim, Salianji u ndal edhe te gabimet e bëra nga PD ndër vite, duke përmendur sistemin zgjedhor, lënien e mandateve dhe mosvlerësimin e figurave të votuara. Ai kritikoi edhe qëndrimin e partisë për procesin e kandidimit për Avokatin e Popullit:

“PD sot na paska bërë një gabim tjetër, i jap të drejtë Berishës që tha për Avokatin e Popullit. Si mundet PD dhe grupi parlamentar të shkojë pa strategji dhe t’i japë Ramës 15 emra që të zgjedhë cilin të dojë? Si mundet PD të mos ketë guximin të thotë që kandidatura jonë do jetë Adriana Kalaja apo Skënder Haluci? Si ka mundësi që PD nuk mban një qëndrim të qartë?”

Salianji tha se PD ndodhet në një moment të ri, me më shumë takime dhe analiza, por kërkoi vendosmëri më të madhe dhe orientim të qartë politik përballë sfidave të ardhshme.