
Në 35-vjetorin e themelimit të PD-së, kreu i saj historik Berisha tha se narkoshteti i Edi Ramës po shkërmoqet dhe është sot më i dobët se kurrë.
Kryedemokrati tha se PD-ja dhe demokratët janë krenarë që triumfuan ndaj sulmeve të asaj që e quajti mafia Soros për të zhdukur opozitën dhe pluralizmin në vend.
Berisha tha se ish-Sekretari i Shtetit Blinken që e shpalli non grata është non grata në SHBA ndërsa ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim doli në pension para kohe. Berisha se pavarësisht sulmeve të narkoshtetit të Ramës dhe bashkëpunimit të tij me kartelet e kokainës, PD-ja arriti të mbijetojë.
“Asnjë urim nga SHBA-ja nuk ka marrë Edi Rama. Mafia e Sorosit që e mbështeti atë, po shkërmoqet në SHBA. Sot ai që më shpalli mua non grata është non grata në vendin e tij si mashtruesi më i madh. Zonja që na përmendi barin doli në pension para kohe dhe po hetohet për korrupsion. Ne nuk dorëzohemi kurrë për demokrainë, për lirinë, për interesin kombëtar dhe Shqipërinë. Ne jemi një parti që kemi fuqinë për t’u rithemeluar. Ne mësojmë nga gabimet tona dhe kemi fuqinë të ringrihemi. Shumëkush mund të jetë mërzitur, lodhur po mos harroni që ne kemi përballë një organizatë kriminale, rrezik për vendin dhe Evropën. Përballë kemi një lubiqeveri që ka shpërdoruar 90% të 67 miliardë dollarëve të 12 viteve buxhet. Kemi përballë një narkoshtet, një narkodrejtues të një narkoshteti. Sot I kemi të gjitha mundësitë të shembim narkoshtetin. Që sot është më i dobët se kurrë. Tani na pret përballja përfundimtare. Të bëjmë protestat më të fuqishme. Të rrëzojmë narkoshtetin dhe të arrijmë fitoren e PD-së dhe opozitës.” – tha Berisha.