
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë një takimi me sipërmarrës ekspertë ndërkombëtarë, organizuar nga Delphi Forum, se Shqipëria po avançon në procesin e integrimit dhe ofron hapësira të rëndësishme për investime. Ai theksoi se shumë kapituj të negociatave janë hapur dhe se vendi vijon me zbatimin e reformave.
Rama bëri thirrje që investitorët të shohin Shqipërinë si një mundësi afatgjate:
“Kapitali shkon aty ku ka potencial. Sot Shqipëria është kjo – një vend me stabilitet dhe drejtim. Po kthehemi në një korridor zhvillimi nga veriu në jug. Porti i ri i Durrësit do të jetë një nga hapjet më të rëndësishme në Mesdhe që lidh Europën me Shqipërinë dhe Ballkanin.”
Kryeministri theksoi se rritja e Shqipërisë nuk është rezultat i sloganëve, por i reformave:
“Po ndërtojmë një shtet të thjeshtë dhe efektiv. Europa 2030 nuk është shpresë, por destinacion. Negociatat janë të hapura, objektivi ynë është realist dhe i arritshëm, me kusht që Europa të mbajë premtimin dhe ne të respektojmë kalendarin e dakordësuar. Anëtarësimi në 2030 është absolutisht i mundshëm.”
Rama bëri thirrje që investitorët të shfrytëzojnë momentin:
“Investitorët duhet të kuptojnë se ky është momenti dhe ne jemi gati për investime afatgjata. Besoni tek kjo Shqipëri që po transformohet dhe bëhuni pjesë e historisë. Shqipëria nuk është shumë e madhe, ndaj nxitoni para se hapësirat të mbarojnë.”