Vendosni fjalën kyçe....

Marina suedeze: Në Baltik hasim nëndetëse ruse “pothuajse çdo javë”


Marina suedeze po përballet me praninë ruse në Detin Baltik në një nivel pothuajse të përjavshëm, ka deklaruar shefi i operacioneve të saj, kapiten Marko Petkovic, i cili paralajmëron se numri i incidenteve mund të rritet edhe më shumë në rast të një armëpushimi apo marrëveshjeje në luftën në Ukrainë.

Petkovic tha se Moska po e “forcon vazhdimisht” praninë e saj në rajon dhe se patrullimet dhe zbulimi i nëndetëseve ruse janë bërë një pjesë normale e rutinës për marinën suedeze, sipas The Guardian.

Është shumë e zakonshme,” u shpreh ai, duke shtuar se numri i këtyre takimeve është rritur vitet e fundit.

Ai theksoi se Rusia po modernizon flotën e saj detare dhe po prodhon nga një nëndetëse të klasit Kilo në vit në Shën Petersburg dhe në enklavën e Kaliningradit, e cila ndodhet mes Polonisë dhe Lituanisë. Sipas tij, Moska po ndjek një “program të qëllimshëm dhe të vazhdueshëm modernizimi”.

“Kur të vendoset një armëpushim apo marrëveshje në Ukrainë, ne vlerësojmë se Rusia do të rrisë kapacitetet e saj në rajon,” tha Petkovic. “Kështu që marina suedeze duhet të vazhdojë të rritet dhe të përqendrohet në të gjithë panoramën e situatës.”

Rajoni i Detit Baltik po përballet me një sërë kërcënimesh në rritje, përfshirë sulme hibride nga dronë, dyshime për sabotim të infrastrukturës nënujore dhe lëvizjen e vazhdueshme të një flote të vjetër cisternash nafte që transportojnë naftë ruse si pjesë e “flotës në hije”.

Muajin e kaluar, sekretari britanik i mbrojtjes bëri të ditur se një anije spiunuese ruse kishte hyrë në ujërat britanike dhe kishte drejtuar lazerë ndaj pilotëve ushtarakë, duke paralajmëruar se Mbretëria e Bashkuar po përballet me një “epokë të re kërcënimesh”.

Suedi së fundmi organizoi një stërvitje të madhe të NATO-s për luftë kundër-nëndetëseve, “Playbook Merlin 25”, ku morën pjesë nëntë vende – përfshirë Suedinë, Gjermaninë, Francën dhe SHBA – me qindra efektivë që stërviteshin për të zbuluar sulme të mundshme nënujore në kushtet e veçanta të Baltikut.

Topografia e thepisur nënujore pranë Suedisë e bën të vështirë zbulimin e nëndetëseve, pasi ato mund të fshihen lehtësisht.

 

Flota në hije dhe rreziqet nënujore

Petkovic u shpreh gjithashtu se flota e anijeve civile me flamuj të vendeve të treta – e ashtuquajtura “shadow fleet” – mbetet një shqetësim, duke mos përjashtuar mundësinë që cisternat e naftës të përdoren për të lëshuar dronë.

Flota në hije në vetvete nuk është problem ushtarak, por mund të ketë ndikim ushtarak,” tha ai.

Ai theksoi se infrastruktura nënujore në Baltik është veçanërisht e cenueshme për shkak të kushteve të ndryshme nënujore, ku shikueshmëria është e kufizuar, ndërsa ndryshimet në kripësi dhe temperaturë e bëjnë monitorimin më të vështirë.

Kjo prek veçanërisht Suedinë, Norvegjinë, Finlandën, Estoninë dhe Lituaninë, të cilat varen plotësisht nga linjat detare për komunikim dhe furnizim.

Petkovic tha se rritja e vigjilencës së NATO-s ka qenë efektive.

Ai theksoi se që nga nisja e operacionit “Baltic Sentry” në janar, “nuk kemi parë asnjë incident me kabllot nënujore në këtë rajon.”

“Kjo tregon se aleanca funksionon, se ka kohezion dhe se ne po bashkohemi përballë një kërcënimi të përbashkët,” shtoi ai. “Pavarësisht nëse incidentet kanë qenë të sponsorizuara nga shtetet apo thjesht rezultat i lundrimit të dobët, ato kanë rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin e flotës tregtare për të qenë më e kujdesshme në ujërat tona.”