Vendosni fjalën kyçe....

Teknologjia e Informacionit, shansi që ka Shqipëria nga modeli i “nearshoring”


Në tregun global, sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe shërbimeve të jashtme (outsourcing) është ndër më fitimprurësit.

Kompanitë që ofrojnë zgjidhje digjitale, zhvillim softuerik dhe shërbime mbështetëse për të tretët kanë norma fitimi që shpesh tejkalojnë 50%, për shkak të përdorimit intensiv të kapitalit intelektual dhe kostove relativisht të ulëta operative.

Në Europën Juglindore dhe në Ballkan, ky sektor po shënon rritje të shpejtë, i nxitur nga kërkesa e lartë për shërbime IT dhe “business process outsourcing” (BPO), ndërkohë që tregjet perëndimore përballen me mungesë profesionistësh të kualifikuar dhe rritje kostosh.

Në këtë kontekst, edhe në Shqipëri po vihet re zhvillimi gradual i kompanive që ofrojnë shërbime teknologjike dhe digjitale, megjithëse numri i tyre mbetet i kufizuar.

Këto sipërmarrje po hyjnë me ritme të ngadalta në listën e më të mëdhave sipas fitimeve, por me norma të larta kthimi në nivele dyshifrore, duke reflektuar peshën e lartë të punës intelektuale dhe të shërbimeve me vlerë të shtuar.

Në një zhvillim pozitiv, operatorët tradicionalë të “call center” po e zhvendosin aktivitetin drejt shërbimeve më të sofistikuara të teknologjisë dhe mbështetjes digjitale, duke zgjeruar tregjet përtej Italisë dhe duke hyrë në kontrata me kompani ndërkombëtare.

Tendenca është në linjë me prirjet ndërkombëtare të transformimit nga komunikimi bazë me klientët drejt shërbimeve të integruara IT dhe “customer experience management”, që kërkojnë staf më të kualifikuar dhe përdorim të teknologjisë së avancuar.

“Në nivel global, trendet e “outsourcing” kanë ndryshuar ndjeshëm pas pandemisë dhe rritjes së tarifave tregtare nga SHBA apo edhe disa fronte lufte, duke nxitur kompanitë ndërkombëtare të rishikojnë partnerët dhe të kërkojnë zgjidhje më afër tregjeve europiane.

Kjo ka bërë që modeli i “nearshoring” të marrë hov të ndjeshëm, ku Shqipëria po pozicionohet si një alternativë e qëndrueshme falë kombinimit të kostos konkurruese dhe cilësisë së lartë të shërbimit.

Në këtë kontekst, kërkesa është zhvendosur gradualisht nga komunikimi bazë me klientët drejt shërbimeve më komplekse dhe me vlerë të shtuar, ku kërkohet përfshirje më e thellë në proceset operative dhe strategjike të klientëve”, thotë Redion Zefi, drejtues operacional i “Fiber Group”.

Sektori në Shqipëri vazhdon të përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore të kualifikuar, pasi kërkesa për profesionistë të IT-së është shumë më e lartë se oferta.

Kjo po kufizon kapacitetet e zgjerimit, duke bërë që aktiviteti të ketë luhatje të mëdha nga viti në vit, në varësi të kontratave me klientët ndërkombëtarë.

“Emigracioni i vazhdueshëm ka reduktuar ndjeshëm bazën e kandidatëve, veçanërisht për gjuhët e ku ne kemi zgjedhje preferenciale si italishtja apo gjermanishtja.

Nga ana tjetër, mungesa e arsimit gjuhësor praktik në shkolla e bën më të vështirë krijimin e një pipeline të qëndrueshëm për profesionistë të rinj në këtë industri”, shton Zefi.

Në renditjen e vitit 2024, rezultuan vetëm pesë kompani nga fusha e Teknologjisë së Informacionit dhe “call center”, nga shtatë që ishin një vit më parë.

“SOFT & SOLUTION” ishte një hyrje e re në renditjen e fitimeve për 2022 dhe ka vijuar rritjen e shpejtë edhe në 2023 – 2024, duke u renditur në operatorin më të madh në fushën e Teknologjisë së Informacionit, sa i përket rezultatit para taksave.

Të ardhurat u rritën me 43%, në 1.8 miliardë lekë. Fitimet pothuajse u dyfishuan në 1.1 miliardë lekë. Norma e fitimit u përmirësua në 60% në vitin 2024, nga 45% në vitin 2023.

Sipas faqes së saj të internetit, “Soft & Solution” është një kompani e specializuar në zhvillimin digjital, që ndërton platforma për sektorin publik dhe privat, me synim krijimin e zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme në Shqipëri dhe Francë.

Që nga viti 2011, ajo ka projektuar dhe zbatuar sisteme që mbështesin funksione kyçe në qeverisje dhe sektorë strategjikë, duke transformuar shërbime dhe procese, me mbi 120 projekte të realizuara.

“Albania Marketing Service”, operatori më i madh i call center në vend, ka raportuar të ardhura rreth 6.8 miliardë lekë, pothuajse sa vitin e kaluar, sipas të dhënave paraprake nga kompania.

Fitimi ishte 647 milionë lekë, me një normë prej gati 10%. Aktiviteti i saj mbetet i qëndrueshëm duke qenë një nga punëdhënësit privatë më të mëdhenj në vend, me një numër mesatar të punësuarish prej 3411 personash, sipas të dhënave zyrtare nga kompania.

“Fiber Grup” (WAF) dyfishoi të ardhurat në 1.7 miliardë lekë në vitin 2024. Edhe fitimet u më se dyfishuan në 475 milionë lekë. Norma e kthimit ishte 27%. Shoqëria operon në sektorin e telekomunikacionit.

Aktiviteti konsiston në ofrimin e shërbimeve të ndryshme telefonike për llogari të vet apo të palëve të treta, sipas raportit të aktivitetit. Numri i punonjësve është rritur ndjeshëm, gjë që reflektohet edhe në shpenzimet për personelin në vlerën 993 milionë lekë.

Në shkurt 2024, “Fiber Grup” përthithi shoqërinë “We are fiber”. “Për vitin 2025, ‘Fiber Group’ sh.p.k. synon të rrisë më tej portofolin e klientëve dhe të zgjerojë aktivitetin me partnerë ndërkombëtarë.

“Sisal”, me aktivitet në zhvillimin e aplikacioneve softuerike dhe call center, raportoi të ardhura prej 2.5 miliardë lekësh, me rritje prej 14.4%. Fitimet u rritën me 12%, në gati 300 milionë lekë. Norma e kthimit ishte rreth 12%.

Aktiviteti kryesor i biznesit të shoqërisë është konceptimi, krijimi, zhvillimi dhe zbatimi i aplikacioneve softuerike, sistemet e plota të IT dhe platformat IT nën autoritetin e “Sisal S.p.A.” dhe kompanive të tjera të grupit “Sisal”.

Numri mesatar i punonjësve për vitin 2024 është 729, nga 677 vitin e mëparshëm. Sipas të dhënave të detajuara në bilanc, gati gjysma e të ardhurave (47%) është nga zhvillimi i programeve kompjuterike dhe pjesa tjetër nga shërbimet mbështetëse.

Në fund të vitit 2024, kompania kishte 265 zhvillues programesh kompjuterike dhe 407 operatorë (pjesa tjetër është administratë).

“Intercall BPO” është një hyrje e re në “Monitor 200”, sipas fitimeve. Të ardhurat e kompanisë u më se dyfishuan në 1 miliard lekë. Fitimet u rritën me 153%, në 243 milionë lekë. Norma ishte 22%.

Sipas burimeve zyrtare, “InterCall BPO” është themeluar në vitin 2017 në Shqipëri, fillimisht për të ofruar shërbime “offshore” në fushën e “call center” dhe asistencës ndaj klientëve për sektorët e udhëtimit, hotelerisë dhe transportit.

Me kalimin e viteve, aktiviteti është zgjeruar në fusha të tjera si telekomunikacioni, tregtia me pakicë, logjistika, kujdesi shëndetësor dhe industria e lojërave.

Kompania ofron shërbime shumëgjuhëshe në mbi 12 gjuhë dhe ka zyra edhe në Turqi dhe në Bosnjë, duke mbuluar tregje të ndryshme dhe duke siguruar vazhdimësi operacionale./Monitor