
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në pritjen zyrtare për 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, uroi gjithë shqiptarët dhe bëri apel për bashkim të të gjithë faktorëve për të avancuar shtetin shqiptar. Ai theksoi se flamuri shqiptar nuk njeh ndarje, interesa të ngushta apo kufij, por vetëm bashkim dhe përgjegjësi për të çuar përpara shtetin e trashëguar nga të parët.
Kreu i shtetit u ndal te aspiratat e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Evropian, duke vënë në dukje se vendi është më pranë se kurrë anëtarësimit të plotë. “Falë punës së shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, sakrificave të brezave dhe arritjeve në çdo cep të botës, sot jemi pranë një objektivi historik: të zëmë vendin që na takon në familjen evropiane,” tha Begaj.
Presidenti cilësoi si historike hapjen e të gjithë grup-kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian gjatë këtij viti dhe nënvizoi rëndësinë e mbylljes së tyre deri në vitin 2027 me standarde të larta dhe vendimmarrje të përgjegjshme. Ai theksoi se anëtarësimi kërkon institucione të forta, drejtësi të besueshme, ekonomi konkurruese, arsim dhe shëndetësi cilësore, si dhe një administratë publike profesionale, duke e quajtur këtë një provim që duhet kaluar si shtet dhe si shoqëri.
Begaj gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e rolit të Shqipërisë në rajon dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën në konsolidimin e shtetit, njohjet e reja, dialogun dhe integrimin euroatlantik.
“Kjo ditë kujton një komb qëndrestar që, edhe në kohët më të vështira, nuk e humbi besimin te vetja dhe tek e ardhmja e tij. Ne kemi ditur të ecim përpara pa pushtuar, pa kërcënuar, pa dhunuar fqinjët, duke u bazuar vetëm te sakrificat dhe betejat tona për Shqipërinë,” përfundoi Presidenti Begaj.