Vendosni fjalën kyçe....

Risia, bashkimi i copëzave të Pompeit me ndihmën e një roboti


Afresket e lashta romake të Pompeit, të thyera dhe të varrosura prej shekujsh, mund të marrin një jetë të dytë falë një sistemi robotik pionier, të projektuar për të mbështetur arkeologët në një nga detyrat e tyre më të mundimshme: ribashkimin e artefakteve të thyera.

Teknologjia, e zhvilluar në kuadër të një projekti të financuar nga BE-ja të quajtur RePAIR, përzien njohjen e përparuar të pamjeve, zgjidhjen e enigmës të drejtuar nga Inteligjenca Artificiale, dhe duar robotike tejet të sakta për të përshpejtuar punën e restaurimit që tradicionalisht është e ngadaltë dhe shpesh frustruese.

E prezantuar në vitin 2021 dhe e bashkërenduar nga Universiteti Ca’ Foscari i Venedikut, projekti robotik i prezantuar në Pompei të enjten bashkoi ekipe ndërkombëtare kërkimore që kanë përdorur zonën arkeologjike si terrenin e tyre testues.

Projekti eksperimental “në fakt filloi nga një nevojë shumë konkrete për të ribashkuar copat e afreskeve që ishin shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore,” tha drejtori i zonës, Gabriel Zuchtriegel.

Studiuesit besojnë se teknologjia mund të shndërrojë praktikat e restaurimit në mbarë botën, shkruan Reuters.

Roboti përdor dy krahë të pajisur me duar elastike në dy madhësi dhe sensorë shikimi për të identifikuar, kapur dhe montuar copëzat pa dëmtuar sipërfaqet e tyre delikate.

Qyteti dikur i lulëzuar i Pompeit, pranë Napolit, dhe fshatrat përreth u mbuluan nga hiri vullkanik kur Mali Vezuv shpërtheu në vitin 79 pas Krishtit.

Studiuesit u përqendruan në afresket e ruajtura në gjendje të copëzuar në dhomat e depozitimit të Pompeit – dy piktura të mëdha të tavanit të cilat u dëmtuan gjatë shpërthimit fillestar dhe më vonë u shkatërruan nga bombardimet në Luftën e Dytë Botërore, si dhe afreske nga e ashtuquajtura “Shtëpia e Gladiatorëve” që u shemb në vitin 2010.

Gjatë kësaj faze fillestare të testimit u krijuan kopje për të shmangur rrezikimin e pjesëve origjinale.

Ndërsa ekipet e robotikës punuan në projektimin dhe ndërtimin e sistemit, ekspertët në inteligjencën artificiale zhvilluan algoritme për të rindërtuar afresket, duke përputhur ngjyrat dhe modelet që mund të mos jenë të dukshme për syrin e njeriut.

Ekspertët thonë se detyra është e ngjashme me zgjidhjen e një enigme të madhe të lojës jigsaë, me vështirësi shtesë si pjesët që mungojnë dhe mungesa e një pamjeje referencë të rezultatit përfundimtar.

“Është sikur të blesh katër a pesë kuti me jigsaë puzzle. I përziejmë të gjitha bashkë, pastaj i hedhim kutitë dhe përpiqemi të zgjidhim katër a pesë puzzle në të njëjtën kohë,” tha Marcello Pelillo, profesori i universitetit të Venedikut që bashkërendoi projektin.