
Presidenti francez Emmanuel Macron ka shpallur krijimin e një programi të ri shërbimi ushtarak vullnetar për të rinjtë, i cili do të nisë në mesin e vitit 2026 dhe synon t’i japë Francës kapacitete më të mëdha për t’u përballur me “kërcënimet që po përshpejtohen” në arenën globale.
Në një fjalim të mbajtur në Brigadën e 27-të të Këmbësorisë Malore në Varces, në Alpe, Macron tha se Europa po hyn në një fazë të re pas dekadave të sigurisë së garantuar nga SHBA, ndërsa politika e Donald Trump dhe qëndrimi gjithnjë e më agresiv i Rusisë po nxisin ndryshime të mëdha në kontinent, sipas Reuters.
“Franca nuk mund të qëndrojë duarkryq”, deklaroi ai, duke shtuar se projekti është i frymëzuar nga vendet e tjera europiane si Gjermania dhe Danimarka, të cilat tashmë kanë ngritur skema të ngjashme.
Si do të funksionojë programi i ri?
Do të jetë vullnetar dhe i hapur për të rinjtë 18-19 vjeç.
Do të zgjasë 10 muaj, dhe pjesëmarrësit do të paguhen.
Kostoja e programit është 2 miliardë euro, që Macron e cilësoi si një investim të domosdoshëm.
Në vitin 2026 pritet të përfshihen 3,000 të rinj, ndërsa numri synohet të arrijë 10,000 deri në vitin 2030.
Objektivi afatgjatë është që 50,000 të rinj të marrin pjesë deri në vitin 2035.
Pjesëmarrësit mund të kthehen në jetën civile, të bëhen rezervistë apo të vazhdojnë karrierën në ushtri.
Macron theksoi se programi nuk paraqet rikthim të shërbimit të detyruar ushtarak, të cilin presidenti Jacques Chirac e shfuqizoi në vitin 1996. “Nuk mund të kthehemi te koha e detyrimit ushtarak. Modeli i ri i ushtrisë është hibrid dhe i përshtatur me sfidat që na presin”, tha ai.
Franca synon të rrisë numrin e rezervistëve në 100,000 deri në vitin 2030, nga rreth 47,000 që janë aktualisht.
Kontroversitë pas deklaratave të shefit të ushtrisë
Njoftimi i Macron u errësua nga deklaratat e gjeneral Fabien Mandon, shef i Forcave të Armatosura të Francës, i cili shkaktoi tronditje javën e kaluar kur u shpreh se vendi duhet të përgatitet për “humbje të mundshme” nëse përballet me agresion rus.
“Na mungon forca e karakterit për të pranuar sakrificën për të mbrojtur atë që jemi. Franca duhet të jetë gati të pranojë humbjen e bijve të saj”, deklaroi gjenerali, fjalë që shkaktuan reagime të ashpra.
Macron kërkoi të shuante shqetësimet, duke theksuar: “Duhet të heqim menjëherë çdo ide të gabuar se do të dërgojmë të rinjtë tanë në Ukrainë.”
Në mbrojtje të gjeneralit doli edhe senator Cédric Perrin, kreu i komisionit të jashtëm dhe të mbrojtjes në Senat, i cili tha për Reuters se deklaratat ishin nxjerrë nga konteksti, por se “ndonjëherë duhet të flasësh troç për t’u bërë të qartë francezëve rrezikun ku ndodhemi”.
Projekti i Macron vjen në një kohë kur Europa po rishikon në mënyrë të thellë politikat e saj të sigurisë, në një klimë ku aleancat tradicionale dhe kërcënimet e jashtme po ndryshojnë me shpejtësi.