Vendosni fjalën kyçe....

Blushi akuzon Ramën: Shqipëria nën ujë me 650 milionë euro të vjedhura, kryeministri në Katar


Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se në kulmin e përmbytjeve që kanë goditur vendin, ai ndodhet në Katar për të marrë pjesë në edicionin e 7-të të Fashion Trust Arabia.

Blushi tha se ndërsa Shqipëria po përballet me dëme të rënda nga moti i keq dhe qindra familje po kalojnë ditë të vështira, “kryeministri pozon në tapetin e kuq, mes luksit të shfrenuar”.

Sipas tij, Rama është i shkëputur nga realiteti dramatik i qytetarëve, teksa përmend humbjen e jetës së një gruaje në Korçë dhe dëmet masive në banesa, biznese bujqësore, bagëti dhe prodhime.

Blushi e lidh situatën e përmbytjeve me atë që e quan “katastrofë të korrupsionit qeveritar”, duke sjellë si shembull shembjet e disa veprave infrastrukturore të ndërtuara gjatë qeverisjes Rama–Balluku.

Ai përmend rrugën Qukës–Qafë Plloçë, të cilën e cilëson “varr monumental korrupsioni”, rrugën Korçë–Ersekë, aeroportin e Vlorës dhe aksin Kardhiq–Delvinë, për të cilat thotë se janë shembur, dëmtuar ose përmbytur vetëm pak kohë pas inaugurimit.

“Vetëm me këto vepra të florinjta, Rama dhe Balluku u kanë vjedhur shqiptarëve rreth 650 milionë euro,” deklaron Blushi, duke shtuar se këto para duhej të kishin shkuar për emergjencat, pensionet, pagat dhe bujqësinë.

Ai akuzon drejtësinë se po hesht dhe po i garanton kryeministrit “pandëshkueshmëri absolute”, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të reagojnë: “Është koha që Rama të largohet dhe sovrani të marrë në duar pushtetin që i takon.”

Në reagimin e tij, Blushi paralajmëron se pasojat e korrupsionit qeveritar po rëndojnë mbi qytetarët dhe se “asnjë iluzion nuk duhet të ketë te një drejtësi e kapur që nuk guxon të marrë në pyetje kryeministrin”.