Vendosni fjalën kyçe....

Meta komenton rastin Sarkozy: Në Francë mbizotëron ligji, në Shqipëri Ramaforma



Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia lidhur me zhvillimet në Francë, ku ish-presidenti Nicolas Sarkozy u la i lirë nga gjykata pas 20 ditësh paraburgim. Meta shprehu respekt për Sarkozy-n dhe tha se është i qetë për fatin e tij, pasi “në Francë vazhdon të mbizotërojë ligji dhe prezumimi i pafajësisë”.

Ai solli në vëmendje edhe rastin e Avni Rustemit 105 vite më parë, kur drejtësia franceze e liroi pas vrasjes së Esat Toptanit, duke e cilësuar atë një vendim me natyrë politike për mbrojtjen e shtetit shqiptar.

Në reagimin e tij, Meta krahasoi sistemin francez me atë shqiptar, të cilin e cilësoi “narkodrejtësi”. Ai akuzoi SPAK-un për manipulime, mosveprim ndaj aferave të mëdha dhe për “hetime të orkestruara prej gjashtë vitesh” ndaj tij.

Meta deklaroi se mënyra e shoqërimit të Sarkozy-t ishte “dinjitoze”, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, “Narkoshteti rrëmben kundërshtarët politikë në prag zgjedhjesh”. Ai përmendi çështjen CEZ-DIA, përgjimet e Gratterit dhe deklaratat e Gjeneral Lisit, duke theksuar se “Shqipëria është ende larg standardeve europiane”.

Meta tha se do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut për të provuar manipulimet ndaj çështjes së tij: “Nuk shkoj për të mbrojtur Ilir Metën, por për të treguar se eksperimenti me një popull të tërë dështoi”.