
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, në një intervistë në emisionin Log, tha se Shqipëria ndodhet përballë një realiteti të ri, ku për herë të parë po shkojnë para drejtësisë zyrtarë të lartë të pushtetit, përfshirë edhe zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK.
Sipas Shehajt, fakti që po hetohen drejtues të niveleve të larta tregon një ndryshim thelbësor në funksionimin e drejtësisë shqiptare.
“Erdhi dita që drejtësia po vepron kundër të gjithëve. Nëse deri dje këtu sundonte pandëshkueshmëria, tani nuk është kështu. Me Dumanin ka ndryshuar gjithçka, po heton të gjithë,” – u shpreh ai.
Deputeti theksoi se procesi i ndjekur me Ballukun tregon një model që mund të përsëritet edhe me kryeministrin Rama.
“Kështu dhe me Ballukun — u morën fillimisht me drejtorët e saj, pastaj me të vetë. Dhe me Edi Ramën po ndodh e njëjta gjë: po merren me vartësit e tij. Ditën që do të dalë para drejtësisë Edi Rama, atëherë do të shohim përplasjen mes politikës dhe drejtësisë,” – deklaroi Shehaj.
Ai shtoi se nuk ka rëndësi për cilat çështje do të hetohen zyrtarët, por fakti që “po shkojmë drejt një drejtësie që nuk pyet për askënd” është, sipas tij, zhvillimi më i rëndësishëm në vend.