
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Kufizimi”, pas një rasti të rëndë rrëmbimi dhe dhune ndaj një 27-vjeçari, i cili u mbajt peng për disa orë në një apartament me qëllim përfitimin e shumës prej 5,000 eurosh.
Sipas njoftimit zyrtar, janë arrestuar dy të rinj, L. K. dhe A. N., të dy 24 vjeç, ndërsa tre persona të tjerë – K. N. (23), M. M. (21) dhe S. C. (25) – janë shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit u arrestua edhe A. K., 60 vjeç, babai i njërës prej të arrestuarve, pasi në banesën e tij u gjet një armë zjarri me municion luftarak.
Policia sekuestroi gjithashtu 5,000 euro, 6 celularë dhe një automjet.
Hetimet tregojnë se të dyshuarit kanë bashkëpunuar për të ushtruar presion dhe dhunë fizike ndaj viktimës, me qëllim përfitimin e shumës së kërkuar.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa operacioni vijon për kapjen e personave të shpallur në kërkim.