Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Balluku caktoi edhe nënkontraktorët për Aeroportin e Vlorës


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas intervistës së biznesmenit Behgjet Pacolli, duke e cilësuar si një dëshmi të re për korrupsionin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në projektin e Aeroportit të Vlorës.

Sipas Bardhit, Balluku jo vetëm që ka paracaktuar fituesin e koncesionit për ndërtimin e aeroportit, por ka përcaktuar edhe nënkontraktorët që do të kryenin punimet, përfshirë një kompani italiane që sipas Pacollit kishte marrë “fjalën” nga ministrja për ndërtimin e një hangari me vlerë 21.2 milionë euro.

“Në këtë takim të zhvilluar në Kryeministri, ka qenë i pranishëm edhe Edi Rama, i cili jo vetëm ishte në dijeni të aferave të zëvendëses së tij, por edhe i miratonte ato plotësisht” – deklaroi Bardhi.

Ai kërkoi që SPAK të marrë në konsideratë intervistën si provë zyrtare dhe të thërrasë urgjentisht në hetim Ramën dhe Ballukun për atë që e cilësoi si një aferë qindra milionë euro në dëm të buxhetit të shtetit dhe ekonomisë shqiptare.

 

Reagimi i Gazment Bardhit:

Intervista e biznesmenit Behgjet Pacolli zbardh një tjetër aferë korruptive të Belinda Ballukut. Përveçse ka paracaktuar fituesin e konçesionit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, Belinda Balluku përcaktonte edhe nënkontraktorët që do të kryenin punimet për ndërtimin e strukturave të aeroportit.

Në këtë episod bëhet fjalë për ndërtimin e një hangari me vlerë 21.2 milionë euro, për të cilin siç thotë biznesmeni Pacolli, Belinda Balluku i kishte dhënë fjalën një kompanie italiane. Në këtë takim të zhvilluar në kryeministri, ka qenë i pranishëm edhe Edi Rama, i cili jo vetëm ishte në dijeni të aferave të zëvëndëses së tij, por edhe i miratonte ato plotësisht.

Pa humbur kohë, SPAK duhet të administrojë këtë intervistë si provë e korrupsionit madhor të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut me konçesionin e aeroportit të Vlorës. Dyshja Rama-Balluku duhet të thirren urgjentisht në SPAK dhe të merren në përgjegjësi penale për këtë aferë qindra milionë euro në dëm të Buxhetit të Shtetit dhe ekonomisë shqiptare.