Vendosni fjalën kyçe....

OKB: Viti 2025 do të jetë ndër vitet më të nxehta ndonjëherë



Temperaturat rekord të regjistruara këtë vit po e vendosin 2025-ën në mesin e viteve më të nxehta në histori, njoftoi të mërkurën Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), duke paralajmëruar se ngrohja globale po hyn në një fazë të rrezikshme dhe të vështirë për t’u ndalur, përcjell REL.

Sipas raportit të ri të agjencisë së klimës dhe motit të OKB-së, 2025 pritet të renditet si viti i dytë ose i tretë më i nxehtë ndonjëherë, menjëherë pas 2024-ës, duke përmbyllur një dekadë me temperatura të paprecedenta.

Këto të dhëna u publikuan teksa udhëheqësit botërorë u mblodhën në Belem të Brazilit, përpara Samitit të Klimës COP30 që do të mbahet javën e ardhshme në Amazonë.

Shefja e WMO-së, Celeste Saulo, tha se këto zhvillime “nënkuptojnë se është praktikisht e pamundur që ngrohja globale të kufizohet në 1.5 gradë Celsius pa e kaluar përkohësisht objektivin e Marrëveshjes së Parisit”.

Megjithatë, ajo shtoi se “është ende e mundur dhe thelbësore që temperaturat të zbriten sërish nën këtë kufi deri në fund të shekullit”, nëse qeveritë marrin masa urgjente për reduktimin e emetimeve.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka quajtur dështimin për të përmbushur objektivin klimatik “një dështim moral”.

Sipas raportit, temperatura mesatare globale në tetë muajt e parë të 2025-ës ishte 1.42°C mbi nivelin para-industrial, ndërsa përqendrimet e gazrave serrë dhe nxehtësia në oqeane kanë arritur nivele rekord.

Ndërkohë, akulli në detin Arktik ka shënuar shtrirjen më të ulët të regjistruar ndonjëherë, ndërsa ngjarjet ekstreme të motit – përmbytje, zjarre dhe vala të nxehti – kanë shkaktuar pasoja të rënda për jetën, jetesën dhe sistemet ushqimore në mbarë botën.

Vitet 2023, 2024 dhe 2025 renditen si tre vitet më të nxehta që nga fillimi i matjeve meteorologjike 176 vjet më parë, konfirmoi WMO.