
Forcat e rendit kanë zhvilluar mbrëmjen e sotme një aksion të befasishëm në zonën e Skelës në Vlorë, me qëllim rritjen e sigurisë publike pas ngjarjes së rëndë ku një 17-vjeçar humbi jetën, pasi u përplas nga një automjet tip “Porsche”.
Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të zonës, duke ndaluar për verifikim automjetet luksoze dhe ato me xhama të zinj. Kontrollet janë përqendruar tek personat me precedentë penalë, ata në kërkim, si dhe tek qytetarët që mund të mbajnë armë të ftohta apo armë zjarri pa leje.
Aksioni pritet të shtrihet edhe në zona të tjera të qytetit, si pjesë e një operacioni të gjerë për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe forcimin e rendit publik në Vlorë.