Vendosni fjalën kyçe....

Kapet me mbi 200 kilogramë drogë në kamion, arrestohet një person në Prishtinë



Një person është arrestuar në rajonin e Prishtinës pasi në kamionin që ai po drejtonte janë gjetur dhe sekuestruar mbi 200 kilogramë substancë narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është arrestuar S.J., i dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë, ndërsa janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë Speciale, ndërsa hetuesit po punojnë për të identifikuar personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm në luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe ndjekjen penale të të gjithë personave që merren me këtë aktivitet të paligjshëm.