Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Raporti i OSBE-ODIHR demaskon farsën e 11 majit dhe rivlerëson qëndresën opozitare


Raporti final i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka konfirmuar një sërë problematikash të ngritura më herët nga Partia Demokratike, duke vënë në dukje përdorimin e gjerë të administratës publike në fushatë, lidhjet e krimit të organizuar me politikën, si dhe manipulimin e mjedisit mediatik.

“Përdorimi i burimeve shtetërore, falja e gjobave pak ditë para zgjedhjeve, dhënia e bonuseve për pensionistët dhe asfaltimi elektoral janë praktika që kanë ndikuar në pabarazinë mes konkurrentëve”, thuhet në raportin e publikuar më 23 tetor.

Në dokument përmendet edhe përdorimi i gjuhës fyese dhe diskriminuese, përfshirë epitetet si “çyryk” apo “autik”, si dhe blerja e votës në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Raporti vëren se ndarja mes shtetit dhe partisë ka qenë e paqartë, veçanërisht në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vorë.

Në këtë kuadër, deputeti i PD-së Belind Këlliçi, reagoi nëpërmjet një postimi duke e cilësuar raportin si “bombë që demaskon farsën e 11 majit dhe rivlerëson qëndresën opozitare”.

Ai tha se të gjitha këto çështje janë denoncuar nga opozita me prova, foto dhe video autentike.

“Ky raport, ndër të tjera, i jep vlerë dhe qëndresës së pakompromis të Partisë Demokratike kundër farsës zgjedhore të 11 majit, e cila në mënyrë kriminale tentoi të zëvendësonte vullnetin e shqiptarëve me manipulimin e frikshëm patronazhist nga partia-shtet”, u shpreh Këlliçi.

Ai shtoi se përndjekja dhe burgosja e liderëve të opozitës për arsye politike mbetet “çështja më flagrante, shkatërrimtare për demokracinë dhe liritë politike e individuale në vend”.

Raporti i OSBE-ODIHR, sipas tij, është një pasqyrë e plotë e asaj që ndodhi më 11 maj dhe një thirrje për reagim nga çdo individ apo faktor politik që vlerëson institucionin e zgjedhjeve të lira dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.

 

Postimi i Këlliçit:

Bomba e OSBE-ODIHR demaskon përfundimisht farsën e 11 majit dhe rivlerëson qëndresën opozitare!

Raporti final i OSBE-ODIHR konfirmon të gjitha konstatimet publike të Partisë Demokratike për 11 majin.

Në raport theksohen përdorimi i gjërë i administratës publike duke e bërë të paqartë ndarjen midis shtetit dhe partisë, lidhjet e krimit të organizuar me politikën në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vorë. Manipulimi i rëndë i mjedisit mediatik, përdorimi i gjuhës fyese dhe diksriminuese me epitetet “çyryk” apo “autik”. Blerja e votuesve në mënyrë të drejtpërdrejtë, përdorimi i makinerisë shtetërore për të falur gjoba, dhënia e bonuseve për pensionistët apo shtrimi i asfaltit elektoral.

Duhet të themi se të gjitha këto çështje janë shtruar nga opozita në mënyrë të qartë, të faktuar dhe të pakundërshtueshme me prova, foto e video autentike!

Ky raport, ndër të tjera i jep vlerë dhe qëndresës së pakompromis të Partisë Demokratike kundër farsës zgjedhore të 11 majit, e cila në mënyrë kriminale tentoi të zëvendësonte vullnetin e shqiptarëve me manipulimin e frikshëm patronazhist nga partia-shtet.

Mbi të gjitha, përndjekja dhe burgosja e liderëve të opozitës për arsye politike mbetet çështja më flagrante, shkatërrimtare për demokracinë dhe liritë politike e individuale në vend.

Ky raport është pasqyra e plotë e asaj që ndodhi më 11 maj dhe reagimi ndaj asaj farse ishte dhe mbetet detyrë e çdo individi apo faktori politik që vlerëson sadopak institucionin e zgjedhjeve të lira, klimën e demokracisë apo perspektivën europiane të një vendi si Shqipëria.