
Pritet të mbahet sot seanca paraprake për çështjen e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe disa personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën dosje.
Në këtë seancë do të shqyrtohen akuzat penale që rëndojnë ndaj Veliajt, i cili prej 10 shkurtit ndodhet në paraburgim, si dhe do të vendoset nëse çështja ndaj tij do të kalojë apo jo për gjykim.
Më herët, më 2 tetor, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e paraqitur nga ish-kryebashkiaku, i cili kërkonte zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” me një masë më të butë.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi SPAK e akuzon atë dhe bashkëshorten e tij për ndërtimin e një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, përmes së cilës dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e Bashkisë së Tiranës dhe ryshfete nga biznesmenë e kontraktorë të saj.
Sipas hetimeve të SPAK, shuma e përfituar arrin në rreth 1 milionë euro, të cilat dyshohet se janë përdorur kryesisht për blerje luksoze online nga Ajola Xoxa.