
Një deklaratë e pazakontë e zëvendëskryeministres Belinda Balluku gjatë “Forumit të Biznesit Shqipëri–Turqi” ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale.
Gjatë fjalës së saj përpara zëvendëspresidentit turk Cevdet Yilmaz, Balluku tha se është një ndjekëse e rregullt e telenovelave turke dhe se falë tyre ka mësuar edhe histori.
“I nderuar zëvendëspresident, të siguroj që të gjithë shqiptarët që ndodhen në këtë sallë e kanë parë serialin e Sulejmanit të Madhërishëm pa humbur asnjë seri – por jo vetëm atë, edhe Kosemin dhe të gjithë të tjerët, dhe e kam bërë edhe unë, që ta dini,” – u shpreh Balluku.
Sipas saj, këto seriale nuk kanë qenë vetëm argëtim, por edhe një mënyrë për të njohur më mirë historinë.
“Ka qenë një nga pjesët më të bukura të argëtimit sepse mësonte historinë për më tepër. I kemi të gjitha mundësitë që Ezeli i ri, Bihteri e pikëlluar në kërkim të pasionit të humbur apo shokët e Sulejmanit të Madhërishëm të flasin shqip,” – shtoi ajo me humor.
Fjalimi i Ballukut u mbajt në kuadër të Forumit të Biznesit Shqipëri–Turqi, që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Deklarata e saj, megjithatë, është bërë virale në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta dhe të ndryshme nga qytetarët.