Vendosni fjalën kyçe....

Paraburgimet dhe burgjet e sigurisë së lartë do të pajisen me sistem antidron për parandalimin e kontrabandës



Në 5 paraburgime dhe burgje të sigurisë së lartë në vend pritet të vendoset sistemi antidron, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në qeli përmes dronëve.

Burime pranë Drejtorisë së Burgjeve konfirmuan për BW se ky sistem do të vendoset në paraburgimin 313 në Tiranë, ku mbahen të izoluar njerëzit më të rrezikshëm të botës së krimit, si krerë organizatash kriminale apo individë që kanë urdhëruar ose kryer atentate mafioze.

Në këtë paraburgim mbahen edhe 13 të penduar të drejtësisë, të cilët me rrëfimet e tyre kanë ndihmuar prokurorinë në çmontimin e bandave të rrezikshme kriminale.

Sistemi antidron do të instalohet gjithashtu në burgjet e sigurisë së lartë në Peqin, Drenove, Fier dhe në burgun e Reçit në Shkodër, ku mbahet ose po vuajnë dënimin eksponentë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Sipas ekspertëve, vendosja e këtij sistemi është e domosdoshme, pasi monitorimi me kamera nuk mjafton për të identifikuar dronet, veçanërisht në distanca të mëdha. Kjo teknologji do të forcojë sigurinë në IEVP, duke parandaluar aktivitete të paligjshme si kontrabanda, survejimi i paautorizuar apo tentativat për arratisje, dhe do të rrisë aftësinë e reagimit të institucioneve ndaj kërcënimeve potenciale.

Tenderi për këtë projekt, me vlerë totale 2.3 mln euro, është fituar nga kompania “Albascan”, me administrator Elton Jorgjis. Në garë ishin 4 kompani, por tre prej tyre u përjashtuan pasi nuk kishin përvojë në punë të ngjashme.