Vendosni fjalën kyçe....

PL: Qeveria nuk mori asnjë masë për uljen e çmimeve, kërkohet ndërhyrje me politikë fiskale


Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, akuzoi qeverinë se nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për uljen e çmimeve, duke lënë pa mbështetje familjet shqiptare në një kohë të vështirë ekonomike dhe me inflacion të lartë.

“Premtimi për uljen e çmimeve rezultoi një mashtrim në listën e gjatë të mashtrimeve elektorale. Asnjë masë nuk është marrë nga qeveria për të lehtësuar familjet — ishte vetëm propagandë,” deklaroi Xhixho.

Ajo theksoi se në kushtet e rritjes së kostove të jetesës, është e domosdoshme ndërhyrja përmes politikës fiskale.

“PL ka depozituar në Parlament projektligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar. Me këtë propozim kërkojmë që shkalla e tatimit të ulet në 5% për produktet e shportës bazë. Kjo nuk është vetëm një masë ekonomike, por edhe sociale,” tha Xhixho, duke bërë thirrje për mbështetje ndaj familjeve shqiptare.