
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi të premten pasdite, dhe brenda pak orësh, mijëra palestinezë u panë duke u rikthyer drejt veriut, në qytetin e Gazës, përgjatë rrugës bregdetare Al-Rashid, lëvizja e parë e tillë që prej evakuimit masiv gjatë Operacionit Qerret e Gideonit II.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se trupat e tyre janë ripërqendruar përgjatë vijave të tërheqjes dhe paralajmëruan civilët të mos afrohen në Beit Hanoun, Beit Lahia, lagjen Shuja’iyya dhe në zona të tjera ku trupat izraelite mbeten të vendosura.
Ushtria gjithashtu ndaloi hyrjen në det për not, zhytje apo peshkim, duke theksuar se afrimi me kufirin izraelit mbetet “jashtëzakonisht i rrezikshëm.”
Në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, është ngritur një kornizë e re humanitare që parashikon rihapjen e kalimit kufitar Rafah, përcjell Ynet.
Për herë të parë që prej 7 tetorit, banorët palestinezë do të lejohen të kthehen në Gaza, me miratimin e autoriteteve izraelite.

Largimet përmes Rafahut do të kërkojnë koordinim të përbashkët mes Izraelit dhe Egjiptit, nën mbikëqyrjen e një misioni të Bashkimit Evropian, njësoj si marrëveshjet e bëra në janar.
Sipas marrëveshjes, 600 kamionë ndihmash do të lejohen të hyjnë çdo ditë në territorin e Gazës, duke transportuar ushqime, pajisje mjekësore, materiale për strehim, karburant për spitalet dhe gaz për gatim.
Do të lejohet gjithashtu pajisje për riparimin e infrastrukturës bazë, përfshirë ujin, kanalizimet dhe furrat e bukës. Lëvizja e kamionëve do të zhvillohet përgjatë rrugës bregdetare Al-Rashid dhe rrugës Salah al-Din, që përshkon Gazën nga veriu në jug.
Sipas gazetës Al-Akhbar, e afërt me Hezbollahun libanez, burime egjiptiane kanë konfirmuar se Rafahu do të hapet pjesërisht për qarkullim në të dyja drejtimet, sapo të përfundojnë përgatitjet logjistike.
Emrat e personave që do të kalojnë kufirin do të përpunohen në kuadër të një mekanizmi më të gjerë koordinimi sigurie.
Ndërkohë, një burim palestinez i tha gazetës Al-Araby Al-Jadeed se faza e parë e marrëveshjes përfshin hapjen e pesë kalimeve kryesore për dërgimin e ndihmave përmes Egjiptit dhe Jordanisë.
Të paktën 400 kamionë me ushqime, pajisje mjekësore dhe makineri për pastrimin e rrënojave e rindërtimin e qendrave shëndetësore pritet të hyjnë çdo ditë në territorin palestinez.

Një zyrtar egjiptian në Rafah deklaroi për Al-Araby Al-Jadeed se Kajroja po përgatit qindra kamionë me ndihma nga vendet arabe dhe islame, si dhe po koordinon hyrjen e karburantit dhe gazit të gatimit për të “siguruar shërbimet bazë për popullsinë.”
Ndërkohë, statusi i Fondit Humanitar të Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA-të dhe që menaxhon shpërndarjen e ndihmave në të gjithë Rripin e Gazës, mbetet ende i paqartë.
Izraeli ka ruajtur termat kryesorë të marrëveshjes së mëparshme për shkëmbimin e pengjeve të arritur në janar 2025, ndërsa zyrtarë izraelitë paralajmëruan se, nëse Hamas nuk i përmbahet plotësisht marrëveshjes, luftimet mund të rifillojnë.