Vendosni fjalën kyçe....

Berisha përshëndet vendimin e Kushtetueses për pezullimin e zgjedhjeve në Tiranë


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që pezulloi zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në Tiranë, duke e cilësuar këtë si një “akt me rëndësi të madhe në mbrojtje të rendit kushtetues”.

Në një prononcim nga selia blu, Berisha e përshëndeti vendimin unanim të gjyqtarëve, duke thënë se “ata mbrojtën Kushtetutën nga armiqtë e saj”.

“Sot Gjykata Kushtetuese mori një vendim të cilin unë e përshëndes si një akt të një rëndësie të madhe në mbrojtje të Kushtetutës së vendit, në mbrojtje të kushtetutshmërisë së rendit. Përshëndes vendimin unanim të gjykatësve të cilët mbrojtën Kushtetutën nga armiqtë e saj”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se me këtë vendim “iu bë një shërbim rendit kushtetues dhe iu vendos vula e turpit atyre që shkelmuan Kushtetutën, Edi Ramës, presidentit të tij kukull dhe të gjithë të përfshirëve në këtë akt antikushtetues”.

Në vijim, Berisha theksoi se pavarësisht pezullimit të zgjedhjeve, opozita do të mbetet e bashkuar pas kandidatit Florian Binaj:
“Besoj se partitë opozitare edhe pas këtij vendimi do të konfirmojnë Florian Binajn, i cili u prit me shumë kënaqësi nga qytetarët e Tiranës dhe nga i gjithë spektri opozitar,” deklaroi ai.

Lideri i PD-së akuzoi gjithashtu qeverinë dhe ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, për “asgjësimin e Parlamentit” me urdhër të kryeministrit Rama.

“Peleshi, me urdhër të Edi Ramës, po asgjëson Parlamentin. Ky Parlament po ecën me shpejtësi drejt fundit të vet. Ne, në çdo seancë, do të qëndrojmë në mbrojtje të rregullores dhe Kushtetutës,” tha Berisha, duke shtuar se vendimi i sotëm është “një sinjal edhe për aleatët ndërkombëtarë se drejtësia shqiptare mund të funksionojë kur ka vullnet për t’u përballur me abuzimin e pushtetit”.