Vendosni fjalën kyçe....

Tedi Blushi: Vrasja e gjyqtarit Kalaja, atentat ndaj shtetit – Ministrja e Brendshme të japë dorëheqjen



Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja gjatë ushtrimit të detyrës, ka ardhur një reagim i fortë nga Partia e Lirisë.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Tedi Blushi, e cilësoi vrasjen si një akt terrorist të paprecedentë, një atentat të drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës, rendit kushtetues dhe jetës në Shqipëri.

“Ky është një krim që trondit ndërgjegjen kombëtare dhe zbulon realitetin tragjik në të cilin ndodhet vendi: një Shqipëri ku krimi sfidon pa frikë ligjin, ku armët flasin edhe brenda sallës së gjyqit,”deklaroi Blushi.

Ai e cilësoi ekzekutimin e gjyqtarit si provë të depërtimit të krimit të organizuar në zemër të institucioneve shtetërore dhe një dështim total të qeverisë për të garantuar rendin dhe sigurinë.

Në deklaratën e tij, Blushi akuzon drejtpërdrejt qeverinë për dështim institucional dhe kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Ministres së Brendshme, Albana Koçiu, si një akt i parë përgjegjësie për situatën e rëndë të sigurisë.

“Ky nuk është një rast i izoluar, por rezultati i një qeverisjeje që ka braktisur shtetin dhe ka toleruar krimin. Krimi nuk vepron më në hije, ai vret në dritë të diellit, brenda institucioneve,” u shpreh ai.

Sipas Blushit, ngjarja është një kambanë alarmi për të gjithë shoqërinë, që tregon se shteti nuk kontrollon më territorin dhe institucionet janë kthyer në emra pa përmbajtje.

“Në një vend normal, një akt i tillë do të sillte tronditje politike dhe largime nga detyra. Në Shqipërinë e sotme mbizotërojnë heshtja dhe pandëshkueshmëria,” theksoi ai.

Në përfundim të deklaratës, Blushi shprehu ngushëllimet e Partisë së Lirisë për familjen e gjyqtarit Kalaja dhe bëri një thirrje të fortë për “zgjim kombëtar” dhe reagim qytetar ndaj krizës së sigurisë.

“Sot është një gjyqtar, nesër mund të jetë një qytetar, një mjek, një gazetar… Ky nuk është më thjesht një krim, është një alarm kombëtar. Asgjë nuk është më urgjente se garantimi i jetës dhe mbrojtja e shtetit nga mafia,” përfundon deklarata.