
Për botën, Hamasi deklaroi se ka pranuar pjesët kryesore të planit të paqes të Presidentit Trump. Por brenda vetes, grupi mbetet thellësisht i përçarë për mënyrën se si duhet të veprojë më tej.
Të premten, grupi që SHBA e ka shpallur organizatë terroriste, tha se është i gatshëm të lirojë pengjet dhe t’i dorëzojë Gazën, një deklaratë historike që u pa si një nxitje për përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund luftës.
Megjithatë, Hamasi përdori një gjuhë të paqartë, që sipas disa vëzhguesve, mund të pengojë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.
Një arsye kryesore për këtë, sipas zyrtarëve arabë të vendeve që po ndërmjetësojnë me Hamasin, është se grupi ende nuk ka arritur një konsensus për çarmatimin dhe kushtet nën të cilat do të lirojë pengjet dy nga kërkesat më të rëndësishme të planit të Trump.
Khalil Al-Hayya, kryenegociatori i Hamasit, dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë politikë mbështesin pranimin e propozimit, pavarësisht rezervave të mëdha, thanë ndërmjetësit arabë. Megjithatë, këta zyrtarë të Hamasit që ndodhen jashtë Gazës kanë ndikim të kufizuar mbi krahun e armatosur të grupit, i cili mbetet brenda enklavës.
Ezzedin al-Haddad, i cili mori drejtimin e Hamasit në Gaza pas vrasjes së Yahya dhe Mohammed Sinwar nga Izraeli, u ka thënë ndërmjetësve se është i hapur për kompromis.
Sipas tyre, Haddad është i gatshëm të dorëzojë raketat dhe armët e tjera sulmuese tek Egjipti dhe Kombet e Bashkuara për t’u ruajtur, por kërkon të mbajë armët e vogla, të cilat Hamasi i konsideron armë mbrojtëse.
Por, sipas ndërmjetësve, komandantët e Hamasit brenda Gazës kanë frikë se nuk do të jenë në gjendje të zbatojnë kërkesat për çarmatim nëse pranojnë një marrëveshje që në thelb do të nënkuptonte dorëzim.
Organizata ka rekrutuar shumë të rinj që prej fillimit të luftës, shpesh djem që kanë parë shtëpitë e tyre të shkatërrohen ose familjarë të vrarë. Luftëtarë të tillë, sipas burimeve, mund të mos jenë të gatshëm të dorëzojnë armët.
Khalil Al-Hayya, negociatori kryesor i Hamasit
Pikat më të debatueshme të planit janë kërkesat që Hamasi të çarmatoset, të dorëzojë të gjitha armët dhe të lirojë 48 pengjet izraelite që ende mban, të gjallë apo të vdekur, brenda 72 orëve nga momenti i pranimit të marrëveshjes.
Kritikët brenda grupit e cilësojnë këtë propozim si “një armëpushim 72-orësh”, dhe jo si një marrëveshje paqeje të vërtetë, duke reflektuar mungesën e besimit ndaj Izraelit.
Të premten, Hamasi deklaroi se dëshiron “negociata shtesë për të diskutuar detajet”, që duket se përfshijnë edhe çështjen e lirimit të pengjeve.
Të premten, Presidenti Trump reagoi në rrjetet sociale duke thënë se beson që Hamasi “është gati për një PAQE të qëndrueshme”. Ai u bëri thirrje autoriteteve izraelite që “të ndalojnë menjëherë bombardimet në Gaza”, për të krijuar kushte të sigurta për lirimin e pengjeve. Deklarata e tij reflektonte bindjen në Shtëpinë e Bardhë se Hamasi kishte pranuar planin e paqes.
Megjithatë, sipas ndërmjetësve, drejtuesit ushtarakë të Hamasit kanë këmbëngulur që çdo lirim i pengjeve duhet të lidhet me një afat të qartë për tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza. Kjo u pasqyrua edhe në përgjigjen e Hamasit të premten, ku theksohej se pengjet do të liheshin të lira “me kusht që të sigurohen pozicionet e nevojshme në terren.”
Izraeli mund të hezitojë t’i japë fund armiqësive pasi Hamasi nuk e ka adresuar çështjen e çarmatosjes në deklaratën e tij dhe ka vendosur kushte të rëndësishme për lirimin e pengjeve.
Në një postim në platformën X, senatori amerikan Lindsey Graham e quajti përgjigjen e Hamasit “fatkeqësisht të parashikueshme, një ‘po, por’ klasike.”
“S’ka çarmatim, Gaza mbetet nën kontroll palestinez, dhe lirimi i pengjeve lidhet me negociata, së bashku me probleme të tjera,” tha Graham.
“Në thelb, ky është një refuzim nga Hamasi ndaj propozimit ‘merre ose lëre’ të Presidentit Trump.”
Një ofensivë izraelite në qytetin e Gazës vazhdoi të premten me sulme ajrore
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dha një reagim të kujdesshëm ndaj përgjigjes së Hamasit, duke deklaruar se Izraeli do të nisë përgatitjet për lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza dhe do të punojë me Presidentin Trump për t’i dhënë fund luftës por sipas kushteve të Izraelit dhe presidentit amerikan.
Ushtria izraelite nuk u angazhua drejtpërdrejt për ndalimin e sulmeve, por sinjalizoi se po kalon në një qëndrim më mbrojtës, duke theksuar se do të përgatitet për lirimin e pengjeve dhe do të reagojë menjëherë ndaj çdo kërcënimi të mundshëm.
Disa vëzhgues thanë se deklarata e Hamasit kishte për qëllim të fitonte kohë për të zgjidhur tensionet e gjatë midis krahut të tij politik dhe atij ushtarak. Mosmarrëveshjet mbi strategjinë kanë shoqëruar grupin gjatë gjithë luftës me Izraelin, e cila nisi me sulmet vdekjeprurëse të Hamasit në jug të Izraelit dhe rrëmbimin e rreth 250 personave gati dy vite më parë.
Në frontin e luftës, Hamasi është i goditur rëndë, por vazhdon të luftojë. Krahu i armatosur ka humbur shumicën e udhëheqësve të lartë dhe mijëra luftëtarë me përvojë. Shumë nga rekrutët e rinj nuk kanë trajnimin e duhur, ndërsa kontrolli i përforcuar izraelit mbi Gaza ka vështirësuar aftësinë e grupit për të komunikuar dhe koordinuar operacionet.
Për t’u përshtatur, Hamasi ka shpërndarë komandën tek njësi më të vogla, sipas mediatorëve arabë dhe zyrtarëve ushtarakë izraelitë. Këto njësi veprojnë shpesh në mënyrë të pavarur, duke vendosur vetë se kur dhe si të sulmojnë forcat izraelite.
Zyrtarët ushtarakë izraelitë thonë se Hamasi nuk ka dorëzuar luftën. Ata e shohin komandën dhe kontrollin e grupit të shpërbërë, me njësi të vogla që veprojnë në mënyrë të pavarur përmes luftës guerile, duke përdorur kryesisht eksplozivë, snajperë dhe granata të lëshuara me raketa.
Haddad dhe udhëheqës të tjerë të lartë kanë kontroll të kufizuar mbi këto njësi, një problem që rëndohet nga kriza financiare, e cila ka vështirësuar aftësinë e Hamasit për të paguar pagat. Wall Street Journal ka raportuar më parë se mungesa e parave po dobëson kontrollin e Hamasit mbi radhët e veta.
Që nga fillimi i ofensivës në mes të shtatorit, Izraeli ka marrë nën kontroll pjesë të mëdha të Qytetit të Gazës. Shumë nga luftëtarët e Hamasit janë larguar drejt jugut, ndërsa shumica e civilëve janë evakuuar. Dilema kryesore e Izraelit është se çfarë do të bëjë nëse merr nën kontroll Qytetin e Gazës, por Hamasi refuzon të dorëzohet.
Krahu i armatosur i Hamasit ka humbur shumicën e udhëheqësve të tij të lartë dhe mijëra luftëtarë me përvojë
Disa mijëra luftëtarë të Hamasit mbeten ende në Qytetin e Gazës, tha një zyrtar i lartë ushtarak izraelit. Këto forca vëzhgojnë vazhdimisht trupat izraelite dhe kërkojnë dobësi në radhët e tyre, shtoi zyrtari. Para dy javësh, një RPG vrau një komandant kompanie.
Zyrtari izraelit përshkroi forcat e mbetura të Hamasit si kryesisht të reja dhe pa përvojë, por ende të vendosura. Veprimet e dorëzimit janë të rralla dhe ndodhin zakonisht vetëm kur militantët rrethohen, tha ai.
“Kjo është arsyeja pse këto negociata po fillojnë të marrin formë reale. Ndoshta është hera e parë gjatë gjithë luftës që Hamasi po fillon të kuptojë se do të shkatërrohet,” tha Amir Avivi, një ish-zyrtar i lartë i mbrojtjes izraelite.
Mediatorët paralajmërojnë se nëse udhëheqësit e Hamasit pranojnë planin e Trumpit, disa luftëtarë mund të kalojnë tek grupe të tjera palestineze militantë. Shumë prej tyre kanë kërcënuar tashmë se do t’i bashkohen fraksioneve si Xhihadi Islamik Palestinez ose Fronti i Çlirimit të Palestinës. Bashkëpunimi mes këtyre grupeve është shembur pothuajse plotësisht, duke lënë pasigurëri nëse një marrëveshje vetëm me Hamasin mund të ndalojë luftën.
Katari, Egjipti dhe Turqia kanë tentuar të ushtrojnë presion mbi udhëheqësit e Hamasit, duke u paralajmëruar se kjo është shansi i tyre i fundit për të përfunduar luftën në Gaza, thanë zyrtarë arabë. Ata i kanë thënë Hamasit se nëse grupi refuzon marrëveshjen, më nuk do të jenë në gjendje t’u sigurojnë mbështetje politike ose diplomatike, shtuan zyrtarët.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha: “Ne jemi tashmë në diskutime mbi detajet që duhet të zgjidhen. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Gazën; kjo ka të bëjë me paqen që prej kohësh kërkohet në Lindjen e Mesme.”
Një ushtar izraelit u përgatit së fundmi të lëshonte një dron pranë kufirit me Gazën.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e WSJ