
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar ish-ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për lidhje korruptive në projektin e dy termocentraleve lundruese të kompanisë “ExxonMobil” në gjirin e Vlorës.
Në një deklaratë për mediat, Balliu tha se Kim ka ndihmuar kompaninë amerikane të sigurojë kontratën për ndërtimin e termocentraleve, të cilat, sipas tij, nuk funksionojnë dhe sjellin ndotje mjedisore. Ai e quajti këtë marrëveshje një “pakt korruptimi” mes Kim dhe Ballukut, që sipas tij ka dëmtuar interesat e Shqipërisë dhe marrëdhëniet me SHBA-të.
“Ish-Ambasadorja Yuri Kim ka provuar edhe njëherë se, gjatë kohës në detyrë në Shqipëri, ka përfaqësuar interesat vetjake, financiare dhe korruptive dhe jo ato të taksapaguesve amerikanë dhe aleatit strategjik të kombit shqiptar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke shkelur me të dyja këmbët etikën diplomatike dhe standardet profesionale, ajo ka pranuar një post ekzekutiv si shpërblim nga një kompani, të cilën e ka ndihmuar të sigurojë një kontratë me qeverinë shqiptare,” – u shpreh Balliu.
Sipas tij, marrëveshja për termocentralet u paraqit si një memorandum mirëkuptimi, por në fakt ishte një akt i “korruptimit të ndërsjellë” mes Yuri Kim dhe ministres Balluku.
“ExxonMobil, falë Yuri Kim, ka parkuar në gjirin e Vlorës dy termocentrale lundruese, të cilat nuk punojnë dhe as prodhojnë energji; e kundërta, ndotin detin dhe brigjet përreth. Ajo që Yuri Kim quante asokohe ‘memorandum mirëkuptimi’ ishte një ‘pakt korruptimi’ mes saj dhe ‘Bukrës së Korrupsionit’, Belinda Balluku,” – deklaroi ai.
Balliu shtoi se Shqipëria ka paguar çmimin e lartë të kësaj marrëveshjeje, ndërsa për ish-ambasadoren amerikane, sipas tij, kjo ka qenë një garanci për përfitime personale.
“Tigri 1 dhe Tigri 3 janë ‘dhurata’ që Yuri Kim i bëri Shqipërisë. Nëpërmjet tyre ajo siguroi një vend pune pas pensionit dhe, me siguri, një bakshish të majmë,” – tha ai.
Deputeti demokrat rikujtoi edhe deklaratën e ambasadores drejtuar opozitës shqiptare, duke e quajtur “simbol të dëmit moral dhe elektoral” që i është shkaktuar Partisë Demokratike.
“Shprehja e saj famëkeqe ‘do të hani bar’ drejtuar demokratëve është sot kujtesa e dëmit jo vetëm financiar, por edhe moral e elektoral që diplomatë të tillë i kanë bërë Shqipërisë,” – shtoi Balliu.
Në fund, ai theksoi se Partia Demokratike vijon të mbështesë partneritetin strategjik me SHBA-të dhe administratën e Presidentit Donald Trump, duke shprehur mirënjohje për Sekretarin Rubio që, sipas tij, “pastroi Departamentin e Shtetit nga zyrtarë të korruptuar si Kim”.