Vendosni fjalën kyçe....

Pensionet do të indeksohen me 2.5% nga muaji tetor


Nga 1 tetori, pensionet në vend do të pësojnë një indeksim prej 2.5%, në përputhje me llogaritjet e Institutit të Statistikave mbi çmimet e konsumit për periudhën 2024–2025. Vendimi është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe do të nisë menjëherë zbatimin.

Përfitimet janë të ndryshme sipas kategorive: pensioni mesatar urban, që në fund të vitit 2024 ishte 19,609 lekë, do të rritet me rreth 490 lekë në muaj. Ndërsa për pensionistët ruralë, me pension mesatar prej 11,878 lekësh, shtesa do të jetë 296 lekë, duke e çuar shumën mujore në 12,174 lekë.

Ky ndryshim nuk konsiderohet rritje e mirëfilltë e pensioneve, por kompensim për rritjen e çmimeve në periudhën e fundit. Për këtë indeksim, në buxhet ishin parashikuar fillimisht 1.6 miliardë lekë, por me shkallën e re të llogaritur shpenzimet pritet të jenë më të ulëta, rreth 1.14 miliardë lekë.

Krahasuar me vitin e kaluar, kur indeksimi ishte 4.1%, këtë vit shtesa është më e ulët, pasi inflacioni ka ardhur në rënie krahasuar me periudhën 2023–2024. Aktualisht, Shqipëria numëron 721,398 pensionistë, nga të cilët rreth 630 mijë janë të kategorisë urbane dhe 91 mijë të kategorisë rurale.

Autoritetet kanë paralajmëruar se në vitet e ardhshme pritet një rishikim i skemës së pensioneve për të adresuar problemet e deficitit, që vjen nga numri i ulët i kontribuuesve krahasuar me përfituesit. Në fund të vitit 2024, për çdo 100 pensione, kontribuonin vetëm 118 punonjës.