
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, reagoi ndaj kërkesave të deputetëve opozitarë për procesverbalin e seancës së kaluar, duke ironizuar që pasi “dhunuan” seancën ku u votëbesua qeveria e re, tani pretendojnë të japin mendim.
Balla theksoi se sipas nenit 44 të rregullores, fjala mund t’u jepet vetëm deputetëve që kanë folur në seancën e kaluar dhe mendimi i tyre nuk është pasqyruar.
“Zoti kryetar i Kuvendit do të kërkoja nga ana juaj që deputetëve parafolës t’u kujtohet se janë në shkelje të hapur të rregullores së Kuvendit. Ky moment procedurial i seancës është i rregulluar nga rregullorja e Kuvendit.
I hodha një sy me vëmendje procesverbalit nga seanca e kaluar dhe s’më rezulton se ndonjëri prej depyutetëve që kanë marrë fjalës të jenë folës në seancën e kaluar, dhe sipas nenit 44, fjalën mund ta marrin vetëm ata që kanë dhënë mendim seancën e kaluar dhe mendimi i të cilëve nuk është zbardhur si duhet.
Për ata që nuk dinë të lexojnë rregulloren e Kuvendit, por lexoj nenin 44, fillimi i seancës plenare. Këta nuk kanë pasur mendim, nuk di unë të rezultojë ndonjë mendim.
A mund të kenë pasur ndërmend të shprehin ndonjë mendim, por pasi dhunuan seancën, prishën solemnitetin e një prej seancave më të rëndësishme, vijnë pas një jave dhe duan të japin mendim.
Prandaj zoti kryetar i Kuvendit, kemi kaluar sot me konsensus në konferencë të kryetarëve përbërjen e komisioneve dhe propozimet e grupeve parlamentare të opozitës dhe të deputetëve të pavarur, të kalojmë në votim përbërjen e komisioneve dhe të mos bëjmë hile me procedurën. “, tha Balla.