Vendosni fjalën kyçe....

Lamallari takim me kreun e SPAK: Prioritet pavarësia e gjyqësorit dhe mbështetja e Reformës në Drejtësi


Ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një takim me kreun e SPAK, Altin Dumani, ku në qendër të bisedës ishin prioritetet e qeverisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe vijimin e mbështetjes për Reformën në Drejtësi.

Në një postim në rrjete sociale, Lamallari publikoi foto nga takimi dhe theksoi se drejtësia e pavarur është themeli i rrugëtimit evropian të Shqipërisë.

“Mirëprita sot në një takim drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani. Ndava me të prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë si pjesë e Programit Qeverisës 2025-2029, në përputhje të plotë me detyrimet e ndërmarra në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian. Shteti i së Drejtës është themeli i Shqipërisë Evropiane,” u shpreh Lamallari.

Ai nënvizoi se “konsolidimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe vijimi i mbështetjes për Reformën në Drejtësi mbeten prioritet absolut i qeverisë shqiptare”.

Takimi mes Lamallarit dhe Dumanit vjen në një moment kur debati mbi forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe pavarësinë e tyre mbetet një nga çështjet më të ndjeshme për procesin e integrimit evropian të vendit.